Ish-zëvenëskryeministri, Erion Braçe, ka qenë tepër kritik ditën e sotme ndaj projektligjit të propozuar nga ministrja Elisa Spiropali në lidhje me krijimin e Agjencisë për Bashkëqeverisje.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, Braçe theskoi se problemi qëndron në mosfunksionimin e institucioneve shtetërore dhe sipas tij është shpenzim i shkuar dëm krijimi i agjencive për të bërë të mundur funksionimin e institucioneve.
Me tone kritike ish-zëvendëskryeministri kërkoi që të hapin krahun të gjithë ata nënpunës civil, të cilët për shkak të korrupsionit që kryejnë ndikojnë në mosfunksionimin e institucioneve që përfaqësojnë. Gjatë diskutimit Braçe zbuloi se shumë herë gjatë kohës që ai ishte zëvendëskryeministër, kur shkonin për marrjen e përgjigjeve në ministri për çështje të caktuara, ministrat nuk gjendeshin në vendin e punës.
“Nuk ka mjaftuar ajo agjenci që ishte atje. E dini sepse nuk ka mjaftuar. Sepse fillon këtu. Nëse ministri, zëvendësministri, struktura e ministrisë dhe agjencitë nuk e fillojnë ditën e punës duke patur në mendje t’i shërbejnë qytetarit, nuk ndodh kjo. Aty është zonja. Tani se nuk nxjerr dhe ndonjë sekret të madh, sa herë kemi vajtur ne në ministri dhe nuk kemi gjetur ministrat në punë. Kemi shkuar për të kontrolluar marrjen e përgjigjes institucion me institucion dhe vendosën tabela për të kontrolluar fluksin e ankesave dhe përgjigjet që jepeshin.
Thelbi nuk është funksionimi i kësaj agjencie është thelbi i funskionimit të institucioneve. Ma lejoni t’ia u them zonja minister, kemi hyrë në vitin e 9-të do vi i 10-i, i 11-i, i 12-i, që ne të kemi vështirësi në funksionimin e institucioneve dhe të krijojmë instrumente që të vënë në lëvizje institucionet mua më duket para e shpenzuar kot.
Që të jemi të qartë. Nëse nuk bëjnë dot institucionet të funksionojnë të hapin krahun që të gjithë. Nëse ka agjenci që nuk i përgjigjen qytetarit për një mijë e një arsye dhe ku një prej arsyeve është korrupsioni, në hipoteka, në tatime në inspektime, të hapin krahun të largohen. Ligji për nënpunësin civil e ka të përcaktuar qartë, por mungon vullneti për të larguar atë që nuk i shërben qytetarëve dhe e bën institucionin të dështojë”, tha Braçe./albeu.com/