Trajneri i kombëtares, Edy Reja u shpreh i keqardhur për rezultatin duke theksuar që goli I Uzunit mund të ndryshonte situatën por insistoi se ndaj një rivali si Anglia nuk mund të qarkullosh topin lehstësisht.
“Nëse do të duhet të bëjmë një vlerësim për ndeshjen, u tërhoqëm më shumë në mbrojtje për ti zënë në befasi me kundërsulme. E kishim përgatitur ndeshjen duke u bazuar te kundërsulmi. Uzuni e pati një rast, por nuk ia dolëm. Në planin mbrojtës bëmë shumë mirë. Po të bëjmë një vlerësim të përgjithshëm, ishte ndeshje pozitive. Anglia është skuadër e përqendruar dhe nuk bëri asnjë gabim. Cikalleshi nuk ishte në kushtet më të mira të tij. Për pjesën e impenjimit, të gjithë lojtarët bënë edhe gjëra të mira. Në pjesën e dytë, kishim diçka më shumë në sigurinë e lojës, që nuk e bëmë në pjesën e parë. Na erdhi shumë keq për rastin e Uzunit, mund të kishim kaluar në avantazh. Në momentin që kaloi në avantazh, Anglia pati qetësinë e duhur.
Duhet të kemi parasysh kundër kujt luajmë, është skuadër e fortë në të gjitha drejtimet. Është e vështirë ta mbash topin dhe ta luash topin. Nuk është se nuk donim të kishim zotërim topi, por nuk na i lejuan. Ndryshe do të ishin gjërat në qoftë se nuk do të kishim pësuar gol në pjesën e parë. Në përgjithësi mund të them se bëmë një ndeshje të mirë”, u shpreh Reja.