“Refuzojmë të bëhemi fasadë e pushtetit të kriminalizuar të Ramës”, Bardhi: Reagimi juaj është shpresë

“Liria ka emrin e secilit prej jush”.

Kështu u shpreh kryetari i grupit parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi. Nga podiumi para kryeministrisë ku u mbajt protesta kombëtare e PD-së, Bardhi tha se opozita ka kaluar momente të vështira, por sot kanë me vete pasurinë më të madhe që ka një forcë politike opozitare, kurajon dhe dinjitetin e popullit dhe dëshirën e vullnetin për të fituar.

Bardhi: Ju ishit arsyeja dhe frymëzimi ynë për tu bashkuar. Sot jemi e vetmja rrugë, e vetmja mundësi për tu përballur me të keqen. E keqja e këtij vendi ka emrin e kryeministrit. Përtej fasadës janë dy botë të ndryshme. Njëra është bota juaj, bota jonë, bota e njerëzve të lirë që nuk dorëzohen. Përballë nesh qëndron Edi Rama në botën e tij që mbjell vetëm korrupsion, krim, varfëri, shpopullim. Në këto 10 vite ka përdorur metodat më antidemokratike për të qëndruar në pushtet.

Bardhi tha se nuk kanë frikë dhe do të përballen. Ai shtoi se nuk do të dorëzohen dhe nuk do t’i dorëzojnë as liritë.

Bardhi: Gati gjysma e popullsisë rrezikon të jetë e varfër. Ata që kanë një punë të mirë po mbyten nga taksat. Vendi ynë po jeton në kaos pa asnjë perspektivë. Ne refuzojmë të bëhemi fasadë e pushtetit të kriminalizuar të Edi Ramës. Reagimi juaj është shpresa se gjërat mund të ndryshojnë dhe do të ndryshojnë./albeu.com 


Shtuar 20.02.2024 18:36