Rasti i Kamzës dhe abuzimi për 4 vjet i vajzës në Gjirokastër, Tandili: Dhuna është ulur këmbëkryq

Dhunimi i 6-vjeçares nga babai në Kamëz dhe rasti që u bë publik sot në Gjirokastër ku një vajzë 16-vjeçe ishte përdhunuar për 4 vite nga xhaxhai i të atit kanë tronditur opinionin publik në Shqipëri.

Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Alma Tandili e ftuar mbrëmjen e sotme në “Radarin Informativ” në “ABC” u shpreh se dhuna është ulur këmbëkryq pasi një pjesë e shoqërisë e cilëson normale.

“Dhuna është ulur këmbëkryq dhe e quajnë normale, pasi janë mësuar. Mirëpo kjo gjë, që dhuna pranohet si normale, merret si e mirëqenë, derisa ka arritur në një fatalitet të tmerrshëm” tha ajo.

Por a ka më shumë raste sesa mendojmë? “Rastet e dhunës seksuale janë shtuar vitet e fundit, por nuk është ngjarja e parë, kemi parë edhe të tjera, sapo është shfaqur një rast, kanë marrë guximin dhe kanë denoncuar në disa bashki, si në Gjirokastër dhe Lushnje, që tregon guximin. Kjo është sfida jonë, që rastet të identifikohen dhe të gjithë së bashku dhe pushteti vendor, bashkitë, shkollat, komuniteti” tha ajo.

Për t’u ndalur te rasti i Gjirokastrës, e pyetur se cfarë do të ndodhë tani me vajzën, Alma Tandili tha se “Të gjithë fëmijët që merren në mbrojtje, duhen vite rikuperimi. Ajo që bëjmë ne në nivel vendor në bashki, ndërhyrja që bëjmë është me familjarët”.

Për rastin e vajzës në Kamëz që u dhunua nga i ati, drejtoresha theksoi se hetimi vazhdon. “Psikologia rrëfeu se nuk kemi konstatuar që vajza të ketë shmangie të pyetjeve, është treguar shumë e hapur. Mësuesja ka thënë që e kam të vështirë që të punoj me këtë fëmijë. Dhuna seksuale ndodh në të gjithë botën, madje aty edhe shumë më të sofistikuar”.

Më tej, ajo u shpreh se “Nëna nuk e bëri detyrën. Nëna ka qenë në dijeni. Vajza ka komunikim me nënën tani, është në prezencë të rreptë të psikologes”.

Por cilat janë hapat që do të ndiqen tani? “Jemi te rreziku, është një fije e hollë që na ndan mes jetës dhe shëndetit të saj, rikuperimit të organeve, dëmtimeve që pasur. Nuk do të ndalojë asnjëherë psikoterapia”.

Ku do të shkojë pasi të dalë nga spitali? “Është konfidenciale. Kemi kërkuar, që të bëjmë një vlerësim të një familjari. Kemi dëshirën e madhe që të dalë një familjar” përfundoi ajo./ abcnews.al


Shtuar 4.11.2021 20:29