RAPORTI/ PS tejkaloi tre herë më shumë shpenzimet, PD probleme me deklarimet

KQZ publikoi sot gjetjet e raportit të auditi për shpenzimet e partive politike gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas raporteve të auditit për shpenzimet e Partive politike gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 25 prill 2021 u konstatua se Partia Socialiste kishte shkelur parashikimet e Kodit Zgjedhor ku nënvizohet se gjatë fushatës zgjedhore një subjekt nuk mund të shpenzojë më shumë se sa trefishi i parave të perfutuara nga buxheti i shtetit. Në raport thuhet se tejkalimi është në shumën e rreth 4.5 milionë lekëve dhe sipas parashikimeve ligjore dënohet me gjobë në vlerën e 5 milionë lekëve.

Sakaq, Partia Demokratike nuk ka dorezuar raportet për 69 kandidatët e listave shumëemërore si dhe në raportet e dorëzuara nga subjekti zgjedhor janë bërë korigjime me shkrim duke mos respektuar vendimin e Komisionit Rregullator dhe për këtë arsye nuk janë audituar raportet e kandidatëve.

Referuar Kodit Zgjedhor “Paraqitja e raporteve në shkelje të rregullave dhe formateve të standartizuara të miratuara nga KQZ-ja dënohet me gjobë në vlerën 500.000 (pesëqind mijë) deri 1 000 000 (një milion) lekë.

Ish-Levizja Socialiste për Integrim ka rezultuar pa probleme nga auditi i zhvilluar duke respektuar kufirin ligjor sa i takon shpenzimeve dhe depozitimit te dokumentacionit ku vertetohen ato.