Rama tha se do rrisë pensionet, ironzion Jorida Tabaku: Një kafe 60 lekë në ditë nuk mjafton për dinjitet (VIDEO)

Këtë të mërkurë, përmes një video në llogarinë e saj personale në “Facebook”, deputetja demokrate Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj premtimeve të ripërsëritura të Edi Ramës për “vitin e pensionistëve” dhe rritjen e paralajmëruar të pensioneve në buxhetin e ri të shtetit.

Tabaku ka ironizuar premtimet e përsëritura prej 13 vitesh të Ramës, duke i cilëson si një tallje me të moshuarit shqiptarë.

“Sipas Kryeministrit, pensionet do të rriten me 1,800 lekë në qytet dhe 600 lekë në fshat. Kjo do të thotë vetëm 60 lekë në ditë, një kafe në qytet apo 20 lekë në fshat. Çfarë mund të bëjë një pensionist me një kafe më shumë në ditë”? – shprehet Tabaku.

Gjithashtu, Tabaku thekson se pensionistët janë ndër shtresat më të goditura nga kriza ekonomike dhe inflacioni, me çmime të rritura me 30 deri në 60 për qind për produktet bazë të jetesës, barnat dhe shpenzimet e përditshme.

“Pas gjithë këtyre rritjeve, qeveria ofron një lëmoshë, jo një zgjidhje. Pensionet sot janë lëmoshë, jo politikë sociale. Shqipëria ka nevojë për një skemë të re, të qëndrueshme dhe me dinjitet për të moshuarit e saj”, thekson ajo.

Më tej, Tabaku shprehet se reforma e pensioneve duhet të marrë në konsideratë shpopullimin, emigracionin dhe plakjen e popullsisë, duke e trajtuar çdo qytetar me dinjitet dhe jo me fjalë boshe.

“Qeveria mund të shpërndajë kafe falas, por nuk mund të blejë dinjitetin e pensionistëve”, përfundoi Tabaku.

 


Shtuar 5.11.2025 12:02