Një ditë pasi Shqipëria çeli negociatat për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Europian, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, shprehet optimist se benda vitit 2030 do të arrijmë të jemi pjesë e familjes evropiane.
Rama nuk e ka fshehur krenarinë për ditën e djeshme, ku Shqipëria, thotë u ul me dinjitet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim me Europën e Bashkuar.
Në vitin 2030, Rama thotë se flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, do të ngrihet në oborrin e familjes së Evropës së Bashkuar.
“Mirmëngjesi dhe me krenarinë e një dite të paharrueshme, ku Shqipëria u ul plot dinjitet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim me Europën e Bashkuar, me të gjithë forcën e të vërtetave të arritjeve të mundimshme të këtyre viteve, të cilat morën të gjithë vlerësimin e merituar më në fund, si edhe me bindjen më të fortë se kurrë se Shqipëria 2030 do të ngrejë flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit në oborrin e Familjes së Europës së Bashkuar në Bruksel, ju uroj të gjithëve një ditë të re të gëzuar”, shkruan Rama.
Kryeministri Edi Rama ndodhej dje në Luksemburg, së bashku me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të parë.
Kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia e kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.