Rama nuk i kursen batutat me sipërmarrësin nga Tepelena: Ju jeni mishngrënës të lindur

Kryeministri Edi Rama, nën shoqërinë e drejtoreshës së AZHBR-së, Frida Krifca, kanë inspektuar tre fabrika të reja në zonën e Vorës dhe të Kasharit.

Edhe në këtë takim, Rama nuk i ka kursyer batutat. Në një bashkëbisedim me një sipërmarrës nga Tepelena, i cili ishte duke ndërtuar një fabrikë të përpunimit të mishit, Rama tha me humor: “Ju jeni mishngrënës të lindur”. Kryeministri më pas tha se do e mbështesë në hapjen e tregut me vendet e Lindjes së Mesme.

Rama: Gjëja tjetër që ne mund t’ju ndihmojmë është që t’ju hapim rrugën e tregut në Lindjen e Mesme

Sipërmarrësi: Është një synim, se ne jemi njohur me tregun. Na kanë ardhur informacion nga Dubai. E kërkojnë shumë mishin edhe në origjinën e kemi nga Tepelena.

Rama: Ju jeni mishngrënës të lindur, por çështja është që gjithë zinxhiri tani këputet, sepse këtu nuk ka akoma standarde të tilla. Në momentin që vijnë këtu dhe shikojnë dhe marrin garancinë, dmth çfarë paguajnë do marrin.

Ndërkohë nga një tjetër fabrikë, Rama tha se përmes investimeve në këto sipërmarrje jepen shembuj se kush ka vizion dhe ambicie nuk është e nevojshme që të largohet, pasi fiton më shumë sesa jashtë shtetit.

“Këto janë fabrika të një gjeneratë tjetër sepse krijon premisa për të pasur kampionë këtu. Ne duhet t’ju vazhdojmë t’ju mbështesim dhe ju mbështesim. Është e rëndësishme që përmes këtyre jepen shembuj që kush ka vizion, ambicie nuk ka nevojë të ikë jashtë shtetit sepse këtu fiton më shumë se jashtë shtetit”, tha Rama.


Shtuar 21.07.2021 13:52