Në Konferencën e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit ku ishin të pranishëm partnerë europianë, të shoqërisë civile dhe organizatave të medias, kryeministri i vendit Edi Rama, u shpreh se një pjesë e tyre e shikon gotën gjysmë bosh, ndërsa vetë theksoi se e shikon gjysmë plot.
“I kemi ndarë rolet, roli i një pjesë këtu është ta shikojnë gotën gjysmën bosh, roli i një pjese tjetër ku jam edhe unë është që ta shikojmë gjysmë plot”, tha Rama, teksa shtoi se “Shqipëria ka një arkitekturë funksionale për transparencë”, duke iu referuar një raporti të SIGMA.
Gjithashtu, kryeminstri theksoi se pavarësisht progresit të bërë lidhur me transparencën u shpreh s, “po të shikojmë më lart, jemi poshtë”.
Megjithatë deklaroi kreu i qeverisë “Po të shikojmë sa poshtë ishim, jemi shumë më lart, kjo e dyta është burim motivi që duhet të ngremë vendin më lart”.
Edi Rama: Dua ta nis duke thënë që i kemi ndarë rolet, roli i një pjesë këtu është ta shikojnë gotën gjysmën bosh, roli i një pjese tjetër ku jam edhe unë është që ta shikojmë gjysmë plot.
Duke u nisur nga ndërhyrja e fundit e gotës gjysmë bosh, do të doja të sillja në vëmendje jo opinionin e qeverisë, por të SIGMA. Në vlerësimin e SIGMA, që gjykon performancën e institucioneve shqiptare, Shqipëria ka një arkitekturë funksionale për transparencë. Dhe rezultati është 8.6 nga 10 në kuadrin strategjik e institucional. Duke iu referuar indeksit të transparencës të publikuar së fundmi Shqipëria ka bërë një kapërcim prej rreth 5% brenda këtij viti duke shkuar në 78%. Jemi 10 pikë mbi mesataren rajonale, kjo është gota gjysmë plot. Por s’kam këtu për të debatuar apo kundërshtuar ato që u thanë. Pavarësisht progresit të bërë, po të shikojmë më lart, jemi poshtë. Po të shikojmë sa poshtë ishim, jemi shumë më lart, kjo e dyta është burim motivi që duhet të ngremë vendin më lart.
Nuk është një argument për ju të gotës gjysmëbosh që e doni vendin më lart sot dhe jo nesër, dhe me të drejtë sepse nuk është detyra juaj ta ngrini gurin, por të thoni ku duhet të shkojë guri.
Jam absolutisht dakord që qasja e hapur nuk është kërcënim, kjo është diçka që e predikoj vijimisht në tryezën e qeverisë.
Mendoj se ngurrimi për të ndarë me këdo qoftë që i kërkon informacionet administrative është absurd, vetëm dëmton më shumë se sa mbron, krijon një sens dyshimi dhe një atmosferë konspiracioni se sikur çfarë ka mbrapa informacionit.
