“Rama, kryeministër i rublave, Meta: Basha ka hyrë në politikë si i infiltruar!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ka quajtur kreun e qeverisë kryeministër të rublave dhe shtoi se e ka kthyer Rilindjen në strehën e imoralitetit në çdo aspekt.

I ftuar në emisionin “Frontline” Meta ka folur edhe në lidhje me ish-kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe dyshimet për financimet ruse në PD.

Meta u shpreh se ashtu siç ka deklaruar edhe kreu i PD Sali Berisha, ish ambasadori amerikan ka shkuar në zyrën e tij i shqetësuar në lidhje me këtë çështje, por se ai nuk i ka besuar.

Meta dyshon se që në momentin që zoti Basha ka hyrë në politikë, ka qenë i infiltruar.

Pjesë nga biseda në studio:

Ç’mund të na thoni në lidhje me kërkesën e SPAK që zoti Bardhi të dorëzojë dokumentin me aktpadinë mbi çështjen McGonigal?

Meta: Rama ka takuar një zyrtar shumë të lartë të FBI në prani të biznesmenëve, pa prezencë të Shërbimit Informativ Shtetëror, pa përfaqësi nga SHBA që ndodh zakonisht në këto takime. E qartë që e ka bërë për të shkatërruar pluralizmin politik, baza e ekzistencës së shtetit të së drejtës dhe rendit kushtetues në vend.
Mund të ketë fakte për PD apo PL por ka një rrugë zyrtare. Por rruga tinëzare e ndjekur prej tij duke korruptuar një institucion të tillë, është akt shumë i rëndë i shkeljes së Kushtetutës. Meriton gjithçka e çdo dënim. Këto janë fakte. Çdo ditë ka artikuj në mediat botërore, është një ngjarje e rëndë.

Ta bëjë këtë gjë kryeministri i një vendi anëtar të NATO, është një gjë shumë e rëndë, goditje me thikë në zemër të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, përfshirje e institucioneve amerikane në luftën e brendshme politike në vend.

Është në radhë të parë kryeministri i Rublave, rob i parasë, pushtetit dhe perversitetit. Rilindja, sekti që është kthyer në strehën e imoralitetit në çdo aspekt, politik, moral, shoqëror, familjar.

Rama ka reaguar sot në Tëitter, si e shihni heshtjen e zotit Basha?

Meta: Raporti Rama-Basha më i hershëm se ky zhvillim. E qartë që Rama ka pasur disa të dhëna të caktuara që i ka përdorur përmes personit A që ia ka çuar këtij personi për të krijuar një proces kundër këtij njeriu që nuk e mbajti dot shantazhin dhe presionin sepse qëlloi i dobët.
Ndërkohë që siç e ka thënë edhe Berisha, ish-ambasadori i SHBA i ka vajtur në zyrë pas zgjedhjeve 2017 dhe i ka treguar dosjen e Mother Jones. E njëjta ka ndodhur edhe me mua. Më ka ardhur i shqetësuar ish-ambasadori dhe më ka thënë se ishte i shqetësuar për financime ruse në PD. Më tregoi edhe artikullin e Mother Jones Unë as e kam marrë fare seriozisht këtë çështje, pasi Mother Jones pas asaj bëri një tjetër shkrim për mua që tregon se ishte i paguar.

Procesi si ka ecur më pas tregon se ky ose ka pasur probleme ose është ndjerë në një presion të fortë dhe është dorëzuar. Edhe 17 maji ishte dorëzim tek Edi Rama.

Pakt mes Bashës e Ramës për bashkëqeverisje?

Meta: Mendoj se Basha ka ardhur në politikën shqiptare si i inflirtruar. A ishte që në fillim apo më pas i lidhur me Ramën kjo është gjë tjetër.

Bashën e kam njohur shumë mirë që në 2005, kemi pasur marrëdhënie shumë të mira deri në 2009, në bashkëqeverisjen me Berishën, shihja që kishte disa probleme të mëdha qendrueshmërie e personaliteti dhe më pas e kisha të qartë se nuk ishte ai që paraqitej./Albeu.com/


Shtuar 2.02.2023 20:55