Rama “fryn” shifrat në Berat: Do eksportojmë mbi 1 miliard prodhime bujqësore

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Berat për takim me qytetarët teksa në nisje të fjalës së tij ka nisur dhe shiu. Rama e ka interpretuar si një paralajmërim për breshrin e votave të PS.

“Shiu që ka nisur është paralajmërimi i gjithë breshrit të votave të PS që do të hyjë në të gjitha kutitë e votimit që nga Kuçova deri në Skrapar. Që nga Poliçani deri në Dimal dhe natyrisht këtu në Berat. këtu në Berat ku disa vite më parë ishte vërtetë e lodhshme të vijë, ishe një rrugë plot gropa, një rrugë që nuk çonte drejt qytetit turistik, nuk të çonte në një prej vendeve të krenarisë por dukej sikur nuk të çonte asgjëkund. Kujtesa do t’ju ndihmojë që të sillni para syve se si në anë të asaj rruge ishin të rreshtuara tezgat me fruta, me perime, të mbuluara me Fier. Rrugët e Shqipërisë ishin si rrugët e një merkatoje kaotike, rrugët e dëshpërimit dhe të mbijetesës për qindra njerëz që punonin tokën. Sot nuk janë më ato tezga në asnjë rrugë të Shqipërisë. Duhet të mundohesh për të gjetur ndonjë tek-tuk. Ku janë ato prodhime, jo vetëm që nuk janë pakësuar por janë shumëfishuar po shkojnë në pikat e grumbullimit”, deklaroi Rama.

Ai tha se ne do ta bëjmë Shqipërinë kampione të eksporteve bujqësore në gjithë rajonin tonë.
“Sot Shqipëria ka shkuar në vendin e parë për eksporte bujqësorë duke lënë disa vende pas në disa zëra. Jemi eksportuesit më të mëdhenj të domates, të perimeve, por kemi akoma kaq shumë mundësi, potenciale, kaq shumë rrugë për të bërë. të bashkuar kemi mundësi ta ngjisim Shqipërinë në atë majë ku e kanë lënë amanet.

Të jeni të bindur nëse ne para 6-7 vitesh eksportonim 100 mln prodhime bujqësore dhe sot 400 milionë, brenda mandatit të tretë do i çojmë në mbi 1 miliard. Nëse para 6-7 vitesh arrinim të punonim 120 mijë ha tokë buke dhe sot kemi shkuar në rreth 230 mijë duke e dyfishuar sasinë e tokës që punohet. I kemi të gjitha mundësitë që të vazhdojmë ta zgjerojmë këtë mundësi dhe nga kjo tokë të nxjerrim shumë më tepër prodhim. Sot ne e kemi përgjysmuar volumin e importeve dhe kemi rritur të eksporteve. Importojmë 1, eksportojmë 3”, deklaroi kryeministri.

Ai tha se dorëzimi nuk është alternativë. “Ka vetëm një alternativë përpara këtyre ndjesive që janë të mirëkuptueshme për shkak të pandemisë, kjo alternativë është të vazhdosh të ngjitesh dhe kur këmbët të thonë ndalo, të ngjitesh dhe kur zemra thotë po plas. Ne mund ta bëjmë Shqipërinë ku vajzat dhe djemtë, Zaho dhe bashkëmoshatarët të ndihen krenarë për kushtet e kësaj shtëpie, e shtëpisë së përbashkët që quhet Shqipëri.
Sot Berati është diçka krejt tjetër. Është një vend ku hapen dyer, javë pas jave, muaj pas muaji dhe shtëpitë e vjetra, të mrekullueshme që janë xhevahire të mbledhura kthehen në bujtina, në forcë ekonomike për ato familje që i kanë, për ato familje që punojnë në ato shtëpi. Kjo na mjafton për të kuptuar se sa shumë dyer akoma kemi për të hapur por ama jemi ne të vetmit që do i hapim.
Do mbështesim çdo djalë, çdo vajzë që do kthehet të hapë derën e shtëpisë së stërgjyshit, të babës, për ta kthyer atë shtëpi në pjesë të rrjetit të turizmit, të agroturizmit”, tha Rama.

 


Shtuar 16.04.2021 17:40