Ditën e sotme, përmes një shkrimi në llogarinë personale në “Facebook”, demokrati Ferdinand Xhaferaj, ka komentuar qëndrimin e kryeministrit, Edi Rama, në çeljen e grup-kapitujve të parë për anëtarësim drejt BE-së.
Xhaferaj vë theksin tek falenderimi që kryeministri Rama i bëri liderit rus, duke theksuar se lufta e nisur nga Putin, bëri që BE të reflektojë për rëndësinë e zgjerimit të aleancës euroatlantike.
Sipas tij, “korrupsioni dhe krimi i organizuar do të bashkëudhëtojnë me qeverisjen e Edi Ramës”, thekson Xhaferraj.
Reagimi i Xhaferajt:
“Rama falenderoi Putinin, por dramat dhe fatkeqësitë ndërkombëtare s’mund të jenë shpresa e vetme që çon para agjendën e Shqipërisë drejt BE-së!
Rama thotë faleminderit Putin! Ky reagim shumë i sinqertë i z. Rama na bën me dije se çfarë progresi ka bërë Shqipëria nën drejtimin e tij.
Statusi vetë-tregon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit që qeveriset nga Rama”, shkruan ai.
Xhaferi shkruan se kjo deklaratë tregon qartazi se kryesocialisti pret që rrugëtimi drejt BE të diktohet nga zhvillimet gjeopolitike apo fatkeqësitë ndërkombëtare dhe jo nga arritjet e brendshme të Shqipërisë.
“Kryeministri i vendit na shpjegon në mënyrë shteruese se anëtarësimin nuk e presim nga përmbushja e kritereve, por nga dhuratat që mund të sjellin zhvillimet gjeopolitike.
Kjo tregon se korrupsioni dhe krimi i organizuar do të bashkëudhëtojnë me qeverisjen e Edi Ramës”, theksoi Xhaferaj.
Xhaferaj shton se kreu i qeverisë duhet të gjejë mekanizmat e duhur për të luftuar krimin e korrupsionit, si rruga e duhur për t’u ndjekur në këtë proces.
“Është e domosdoshme që opozita të gjejë mekanizmat për të ndryshuar vetveten që të perceptohet si zgjidhje dhe të mbështetet masivisht nga qytetarët.
Sepse, dramat dhe fatkeqësitë ndërkombëtare, siç la të kuptohet edhe z. Rama, nuk mund të jenë shpresa e vetme që çon përpara agjendën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE!”, shkruan Xhaferraj.