Rama e propozoi si ministër Ekonomie, Kulture e Inovacioni, reagon Gonxhe: Privilegj dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme

Pas ndryshimeve në qeveri, ku kryeministri Edi Rama, ka propozuar emrin e tij si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, ka bërë një reagim, ku e quan një privilegj,ndërsa thotë se ndihet i nderuar për vlerësimin që i ka dhënë Rama për këtë emërim sfidues.

Teksa aktualisht drejton DPSHTRR, Gonxhe shkruan se kjo është një përgjegjësi e re për të shërbyer për më shumë qytetarë e sektorë në vend.

Reagimi:

“Jam thellësisht i nderuar për vlerësimin e besimin e Kryeministrit Rama në këtë emërim kaq sfidues! Një privilegj që vjen me përgjegjësi të jashtëzakonshme e përkushtimin për të punuar me pasion e përulësi për të shërbyer me ide e zgjidhje për më shumë qytetarë e sektorë në vend”, shkruan Gonxhe.

Ditën e djeshme, kreu i qeverisë njoftoi ndryshime ne kabinetin qeveritar, ku duke bërë me dije formimin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Kështu, shkrihet ministria e Kulturës, me Elva Margaritin që largohet nga kabineti, ndërsa zvogëlohet portofoli i Ervin Metes, i cili tashmë do të jetë ministër vetëm i Financave.

Kryeministri i ka dërguar Presidentit Bajram Begaj, dekretin për emërimin e Blendi Gonxhes.