Rama e la nga fundi i listës, Mimi Kodheli e sigurt për mandatin e tij

Kandidatja e PS në Tiranë, ish-ministrja dhe deputetja Mimi Kodheli, e cila është vendosur e 21 në listën për këtë qark, është shprehur e bindur për marrjen e mandatit dhe pse është poshtë vijës së kuqe dhe e bindur se do ta thyej herësin, duke theksuar se ka mbështetje popullore.

“Unë besoj, gjykoj që jashtë fashës së sigurt është një nocion relativ sot sepse ka ndryshuar kodi zgjedhor dhe relativizohet dhe pozicioni i vijës së sigurt. Unë besoj që po, do ta thyej. Bëhem për çdo ditë e më shumë e bindur kur kuptoj mbështetjen popullore që kam. Nëse kam qenë njëherë e bindur në fillim do jem kështu deri ditën e fundit.
Unë jam një person me këmbë në tokë, nuk them gjëra që kanë hiperbolë brenda. Mundohem të jem brenda realitetit. unë do ta thyej herësin, madje në mënyrë të konsiderueshme”, u shpreh Kodheli, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24.

Si një socialiste e vjetër si ndihet Kodheli në këto zgjedhje?

“Vij me eksperiencën time, me vitet që i kam shërbyer vendit, njerëzve, vij nga poste të rëndësishme. Vij me të gjithë regjimin apo stërvitjen që ky sport i rëndë të jep. Vij me debatet e mia në parlament por padyshim dhe me vlerat që kam si person, moralin që kam. Unë e kam të drejtën t’i përmend këto si dy gjëra që më karakterizojnë. Ndaj jam në paqe dhe e qetë. Kjo më bën të mos jem në atë ankthin, në atë axhitimin që njerëzit kanë në periudha të fushatës, por më bën të ndërgjegjshme për të mbajtur atë nivel politik që kam mbajtur deri tani”, u shpreh ajo.

Kodheli zbuloi se para mbledhjes së kryesisë që bëri publike listën e kandidatëve të PS, kishte pasur një diskutim me kryeministrin Edi Rama dhe se ndoshta ishte e vetmja që nuk pati surprizë më pas.

“Jo, jo. Ka qenë një diskutim që e kam bërë me të disa ditë më para. Mund të kem qenë njeriu i vetëm që e dija afërsisht. ka qenë një diskutim konstruktiv, nuk kam pasur asnjë surprizë natën e mbledhjes së kryesisë së PS. Kam biseduar dhe diskutuar me të. Nuk kam qenë e margjinalizuar, gjithë kryesuesit e qarqeve janë vënë në zgrip të limiteve për fitoren. Vetë kryetari e ka vendosur veten në dy limite në dy qarqe. Ka qenë një logjikë e përgjithshme, jo vetëm me mua”, tha ajo.


Shtuar 17.04.2021 19:02