Rama e la nga fundi i listës, flet Xhafaj: E prisja!

“Nuk bëj pjesë te ata politikanë, që në mëngjes të thonë vëlla, pasdite të thonë kriminel dhe më pas të thonë më fal vëlla që të thashë kriminel…”

Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafa dhe kandidati për deputet në zgjedhjet e 25 prillit ka thënë se ishte përgatitur që emri i tij të vihej në vijën e zjarrit.

I ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, Xhafaj tha se ishte drejtusi politik i qarkut të Tiranës, Erion Veliaj që i ka bërë të qartë faktin se ekipi elektoral është ndërtuar mbi një parim.

“Nuk shikoj kosto që duhet të paguaj për atë që kam bërë. Duhet të pranojmë që në paraqitjen e skuadrën përfaqësuese të PS-së në 12 qarqe, është ndjekur një parim i njëjtë. Jam përtej vijës së zjarrit. Sot gjithçka është përcaktuar.

Skuadrat kanë dalë në fushë dhe më 25 prill do të bjerë bilbili dhe nuk ka rëndësi se ku jam unë. Kam pasur një diskutim me Veliajn si drejtues politik i qarkut, që më ka bërë të njohur, faktin se ekipi elektoral është ndërtuar mbi një parim. Veliaj më ka dhënë filozofinë sesi mendohej të ndërtohet ekipi elektoral dhe kam pranuar pozicionin, brenda kësaj filozofie. Nuk ka rëndësi nëse je i pari apo i fundit, sepse qytetarët votojnë. Besoj se do të kaloj minimumin e nevojshëm. Kam qenë i përgatitur për këtë listim”, tha Xhafaj.

Fatmir Xhafaj nënvizon se reforma në drejtësi ka qenë dhe mbetet qëllimi i jetës së tij.

“Pasi u largova si ministër i Mbrojtjes, kisha nevojë për reflektim dhe kisha nevojë që të rikuperoj shumë marrëdhënie të mia familjare. Kam pasur një agjendë të ngjeshur, teksa punoja edhe 12 orë në ditë, andaj kisha nevojë që të gëzoj më shumë në familje. Kjo periudhë ishte intensive për njerëzit. Më është dashur të merrem edhe me tërmetin, edhe me pandeminë.

Jam shprehur edhe gjatë kësaj kohe. Jam shprehur që reforma në drejtësi është qëllimi i jetës sime. Nuk bëj pjesë te ata politikanë, që në mëngjes të thonë vëlla, pasdite të thonë kriminel dhe më pas të thonë më fal vëlla që të thashë kriminel. Politika konfliktuale nuk i shërben askujt. Kjo është garë për forcën tonë politike, por edhe për ne”, u shpreh Xhafaj.

 


Shtuar 22.03.2021 21:47