Rama drejt Lindjes së Largët, vizitë në Japoni për 42-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve

Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Lindjes së Largët në datat 21 deri më 25 shkurt, për një vizitë në Japoni.

Vizita vjen në kuadër të 42 vjetorit të vendosjes zyrtare të Marrëdhënieve Diplomatike mes dy vendeve.

Rama do të takohet me homologun e tij Fumio Kishida dhe do të ketë gjithashtu një sërë takimesh të tjera.

Njoftim për shtyp

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tokyo, Japoni, në datat 21 deri në 25 Shkurt, në kuadër të 42 vjetorit të vendosjes zyrtare të Marrëdhënieve Diplomatike mes dy Shqipëri- Japoni.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Tokyo, Kryeministri Rama do të zhvillojë një sërë takimesh, në kuadër të forcimit dhe thellimit të bashkëpunimeve mes dy shteteve, duke rikonfirmuar miqësinë mes dy vendeve, si edhe angazhimin e ndërsjellë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në sferën dypalëshe dhe shumëpalëshe, në përballimin e sfidave së bashku si miq dhe aleatë që ndajnë të njëjtat vlera.

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim bilateral me Kryeministrin i Japonisë z. Fumio Kishida, si dhe do të marrë pjesë së bashku me delegacionin që e shoqëron, në darkën e shtruar prej tij.

Dy vendet  ndajnë interesa të përbashkëta lidhur me kujdesin shëndetësor dhe social, parandalimin e fatkeqësive, si dhe mbrojtjen e mjedisit. Shqipëria dhe Japonia ndajnë vullnetin për të zhvilluar më tej interesat e përbashkëta, duke rritur shkëmbimet kulturore, veçanërisht në fushën e turizmit dhe duke thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.

Viti 2022 shënoi 100 vjetorin e marrëdhënieve të miqësisë mes Shqipërisë dhe Japonisë.


Shtuar 20.02.2023 12:53

Tags: ,