Rama debaton me komentuesit: Partia që të ka mbushur mendjen se jam drogaxhi më ka thyer hundën

Kryeministri Edi Rama ka vijuar sot “SY m’SY”, ku ashtu si në episodet e mëparshme u është përgjigjur komentuesve në rrjetet sociale.

Rama iu përgjigj një prej komentuesve, i cili shprehej se hunda e kreut të qeverisë ishte e shtrembërt nga konsumi i lëndëve narkotike, duke thënë se këto të fundit janë pretendime nga “katran partia”, të cilat janë përsëritur mijëra herë duke u kthyer në lavazh truri për qytetarët.

Rama theksoi se e vërteta mbi kockën e hundës së tij qëndron në një episod dhune të shumë viteve më parë, ku ai është goditur me leva dhe doreza hekuri, ashtu siç ai vetë tregon.

“Ma kanë thyer hundën, bashkë me kafkën këtu mbrapa dhe më kanë çarë buzën me leva dhe doreza hekuri. Dhe ja po të tregoj se ti me siguri je i ri dhe mbase nuk e ke idenë e piramidave të Sudes dhe Rrapushit që grabitën kursimet e shqiptarëve me bekimin e katranit të madh të asaj partisë që u ka mësuar të thuash e të shkruash se unë jam drogaxhi.

Ishte viti ’97 dhe unë mblidhja firma nga shoqëria civile për një peticion për dorëheqjen e qeverisë së asokohe që të shmangej ajo që erdhi më pas kur më dolën në pritë poshtë shtëpisë, në mes të errësirës dhe baltës së Tiranës së asokohe. Më lanë në rrugë mbuluar në gjak dhe doli të nesërmen një kloun i katran partisë si puna e këtij Gazment Ziut të sotëm dhe tha se do ketë qenë sherr për punë të ndonjë femre”, tha ai.


Shtuar 12.01.2025 17:53

Tags: ,