Rama: Brenda majit, vaksinohen gjysmë milion shqiptarë (VIDEO)

Pak pasi ka nisur vaksinimi masiv i popullsisë ndaj koronavirusit, kryeministri Edi Rama është shprehur se brenda muajit maj do të ketë gjysmë milion shqiptarë të vaksinuar, teksa vijon puna për sigurimin e të gjitha vaksinave të nevojshme.

Ndërkohë Rama tregohet optimist, teksa bën me dije se deri pranverën e ardhshme do të jetë vaksinuar e gjithë popullsia. Më tej, ai shton se beson se ky proces do të realizohet edhe më parë.

“Brenda majit, gjysmë milioni shqiptarë të vaksinuar. Kam bindjen e plotë se do të ecim shumë shpejt. Kemi siguruar sasi të konsideruershme. Besoj shumë që ky sezon turistik do të jetë shumë i lehtësuar si rezultat i këtyre goditjeve që i bëhet zinxhirit të infektimeve. Mbetemi të bindur që deri në pranverën e ardhshme do të jenë vaksinuar të gjithë. Por ministrja s’më lë, por unë mendoj se do të vaksinohen më parë”, tha Rama.

I pyetur për procesin e vaksinimit, Rama bëri me dije se do të zhvillohet me 4 turne gjatë gjithë ditës.

Nga sheshi “Skënderbej”, ku dhe janë ngritur dy çadra me nga 10 pika vaksinimi ditën e sotme është parashikuar që të vaksinohen 800 deri në 1000 të moshuar me vaksinën kineze ‘Sinovax’.

 


Shtuar 28.03.2021 10:30