Kryeministri Edi Rama mbajti këtë të hënë një takim me fermerë dhe blegtorë në zonën e Ersekës.
Në fjalën e tij kryeministri foli në lidhje me investimet në Bujqësi, ku me ndërtimin e pikave të grumbullimit dhe përpunimit, fermerët do të jenë aksionerë të këtyre kompanive.
Gjithashtu shefi i qeverisë u ndal dhe te pajisja me NIPT e fermerëve, ku tha se ende personat që merren me bujqësi refuzojnë ta nxjerrin atë nga frika e rritjes së taksave.
Por ai shtoi se NIPT-i është kyç në marrjen e mbështetjes nga qeveria dhe subvencionimit.
“Janë më shumë të rinj që ikin nga fshati se ata që kthehen në fshat. Fakti që ka një tendencë kthimi në fshat nga një numër i vogël, por që është gjithmonë në rritje, flet shumë për atë që do të jetë e ardhmja e jo shumë viteve larg. Ka një farë kushtetsh që duhet të plotësohen, Siç është kushti për patjen e më shumë kapaciteteve për të magazinuar dhe ambalazhuar. Për këtë i kam kërkuar kryetarëve të bashkive që të fillojnë punën dhe të luajnë rolin e një aksioneri garant që stimulon bashkimin e fermerëve në një ndërmarrje. Ti ke tokën dhe ke prodhimet e tua dhe pjesëmarrës një një kompani që e grumbullon. Produkti del në momentin më të mirë të çmimit të tregut.
Fermerët pjesëmarrës duhet të kenë mbështetje dhe si aksionerë të kësaj ndërmarrje të mos ngarkohen financiarisht. Elementi tjetër pajisja me nipt. Kemi shumë fermerë të cilët nuk kanë marrë nipt, sepse i tremben nuk e di se çfarë i tremben taksave a nuk e di se çfarë.
Në rast se nuk je i pajisur me NIPT nuk mund të marrësh asnjë mbështetje”, tha Rama.