Radhë kilometrike në Morinë! Shqiptarët e Kosovës nuk e tradhëtojnë atdheun, turizmi patriotik shpëton sezonin

Shqiptarët e Kosovës edhe këtë vit kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet verore.

Megjithë masat e shtrenguara anti-covid dhe situatën aspak të mirë ekonomike që po kalon mbarë bota, ata sërish kanë vendosur Shqipërinë të parën, në listën e vendeve ku do të pushojnë.

Kjo ka krijuar radhë kilometrike në Morinë, për shkak edhe të procedurave lehtësuese që aplikohen në këtë pikë kufitare për të mos paraqitur asnjë dokument apo vërtetim që ka lidhje me pandeminë.

Qytetarët në pritje të kalimit të kufirit, janë pyetur nga mikrofoni i Report Tv lidhur me masat e marra kundrejt pandemisë, teksa edhe varianti delta është në kulmin e tij.

“Po shkojmë te deti. Do rrimë sa të mundemi. Ne jemi vaksinuar të gjithë me dy vaksina, kemi dhe dokumentacionin e nevojshëm, nuk kemi frikë.”, shprehet një qytetar.

“Po shkojmë në Shëngjin, 4-5 ditë. Nuk kemi frikë nga virusi, jemi vaksinuar dhe kemi marrë masat.”, thotë një tjetër.

Një pjesë e qytetarëve shqiptarë nga Kosova, të cilët do të kalonin pushimet në Shqipëri, janë përgatitur dhe kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID, megjithatë ka edhe shumë të “pabindur”.

“Po shkojmë për pushime në Velipojë, do rrimë një javë. Nuk kemi frikë nga COVID-19 kujt i bie i bie, duhet të mësohemi.”, thotë një qytetar teksa po priste në radhë.

Mëngjesin e kësaj të shtunë Morina u zgjua nën “pushtetin” e makinave deri në thellësi të territorit të Kosovës, ndërsa policia kufitare punoi me tetë sportele e procedurë të përshpejtuar për të shmangur vonesat në kufi./albeu.com/


Shtuar 14.08.2021 11:49