Radhë e pazakontë njerëzish, mijëra vullnetarë për të vendosur “çip” në tru

Kompania e Elon Musk ka arritur të zhvillojë një çip të avancuar dhe tani është në procesin e gjetjes së një personi që do të jetë i gatshëm të bëhet një… kavie, duke i vendosur një pajisje fjalë për fjalë në kafkën e tij.

Gjëja mbresëlënëse e rastit është se mijëra njerëz u paraqitën për të qenë pjesë e eksperimentit, në një valë të paprecedentë interesimi për diçka kaq të paprecedentë.

Ky zbulim, erdhi nga një artikull i “Bloomberg” i shkruar nga biografi i Musk, Ashley Vance. Në fakt, i njëjti artikull flet për “gatishmërinë” e publikut për të integruar këtë teknologji futuriste në kokën e tyre, e cila supozohet të mbushë hendekun midis trurit të njeriut dhe makinave.

Edhe pse Neuralink ende nuk e ka implantuar pajisjen e saj tek njeriu, ajo ka plane shumë ambicioze për të ardhmen e afërt. Sipas Vance, i cili ka vizituar objektet e Neuralink disa herë gjatë tre viteve të fundit, kompania synon të operojë me 11 persona brenda vitit të ardhshëm dhe parashikon të zgjerohet në më shumë se 22,000 njerëz deri në vitin 2030.

Në fillim të këtij viti, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi Neuralink për të filluar provat njerëzore me çipin.

Ky miratim erdhi pas një refuzimi fillestar në mars për shkak të shqetësimeve të sigurisë, sipas Reuters. Shqetësimet përfshinin lëvizjen e mundshme të telave të lidhur me çipin e trurit brenda kokës së subjektit dhe rrezikun e mbinxehjes së çipit.

Pavarësisht nga këto pengesa, Neuralink vazhdoi dhe filloi të rekrutonte pjesëmarrës për provën inauguruese njerëzore në shtator. Duke synuar njerëzit me kuadriplegji të shkaktuar nga dëmtimet e shtyllës kurrizore ose ALS, kompania postoi në blogun e saj një përshkrim të detajuar të procesit të rekrutimit.


Shtuar 11.11.2023 08:36