Qytetarët në vështirësi ekonomike: Shyqyr që kemi fëmijët jashtë dhe na ndihmojnë

Në Shqipëri rritja e çmimeve, që prej muajit shkurt kur nisi agresioni rus në Ukrainë, ka vënë në vështirësi një pjesë të gjerë të shoqërisë, që kanë të ardhura të ulëta. Inflacioni ka arritur 8%, niveli më i lartë që prej më shumë se 20 vitesh. Për të minimizuar efektet e krizës qeveria ka ndërhyrë së fundmi me një plan masash të shtrira në kohë, që u vijnë në ndihmë kategorive në nevojë. Ekspertët mendojnë se ato janë të pamjaftueshme, ndërsa autoritetet thonë se ndërhyrjet janë bërë të kujdesshme, me qëllim ruajten e stabilitetit makroekonomik të vendit.

Shqipëria vijon të përballet me vështirësi ekonomike që prej muajit shkurt kur nisi agresioni rus në Ukrainë. Kriza globale e ushqimeve dhe e furnizimit dhanë ndikimin e tyre, pasi aktiviteti prodhues në vend në një masë të gjerë varet nga importi i lëndëve të para. Inflacioni në muajin gusht arriti në 8%, niveli më i lartë prej më shumë se dy dekadash dhe dy herë më i lartë se në muajin janar. Ndikimin më të madh në rritjen e çmimeve, sipas të dhënave të Instat e dha grupi i ushqimeve me 15% dhe ai i transportit dhe karburanteve me 20 dhe 24%. Qeveria ka ndërhyrë dy herë gjatë vitit, në fillim me atë që u quajt paketa e rezistencës sociale dhe tani me anë të disa masave të tjera të shtrira në kohë. Autoritetet thonë se deri në fund të vitit mbështetja financiare kap një shifër rreth 360 milionë euro, ku pjesën më të madhe me 230 milionë euro e mban subvencionimi i çmimit të energjisë elektrike. Por në një vend si Shqipëria ku të ardhurat për frymë janë ndër më të ulëtat në rajon dhe Europë, efekti i krizës është i lartë. Disa qytetarë, pjesë e paketave mbështetëse të qeverisë, i thanë Zërit të Amerikës, se po përballen me vështirësi financiare.

“Me shumë vështirësi po e përballojmë rritjen e çmimeve. Çdo gjë ka shkuar dyfish. Në buxhetin tim kjo rritje rëndon me 30%”- tha për Zërin e Amerikës një qytetar nga Tirana në pension.

“Çmimet skandal, të mos kemi ndonjë ndihmë anësore marrim fund”- u shpreh një banore e Tiranës.

“Me pensionet që kemi ne është shumë vështirë, por shyqyr që kemi fëmijët jashtë dhe na ndihmojnë”- vijoi një tjetër pensionist.

“Vetëm një gjë është e mirë që nuk po ngrihet cmimi i energjisë”- u shpreh një qytetar.

Sipas të dhënave të Instat në rritjen me 15% në grupin e ushqimeve, ndikimin më të madh me 29% e kanë patur vajrat, qumështi dhe veza me 22% dhe buka e drithërat me 20%. Ndonëse ka rënduar konsumatorët, nga ana tjetër kjo rritje e çmimeve, ka sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, deri tani rreth 420 milionë euro, ose 16% më shumë se një vit më parë, në të njëjtën periudhë. Njohës të fushës së ekonomisë, thonë se këto të ardhura duhet të përdoren për të zbutur efektet e krizës për shtresat në nevojë.

“Kjo shifër që është marrë nga rritja e cmimeve, duhet të rialokohet tek grupet sociale, që kanë më tepër nevojë. Nuk mund të kemi paketa sociale që realizojnë 100% objektivin e tyre, por duhet të themi që këto paketa duhet të jenë të gatshme dhe duhet të aktivizohen sa më shpejt, pasi bëhet fjalë për disa qindra, mijëra njerëz që kanë të ardhura deri në 5.5 dollarë për frymë dhe që mbeten në kushtet e mbijetesës”- tha për Zërin e Amerikës Arben Malaj, ish-ministër i financave.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj i tha Zërit të Amerikës, se në paketën e dytë të miratuar pak ditë më parë, masat janë të qëndrueshme dhe jo me efekt të përkohshëm. Ato përfshijnë indeksimin e pensioneve me 6%, që arrin në 9.5 që prej fillimit të vitit, rritjen me 10% e ndihmës ekonomike, dyfishimin e saj për gratë kryefamiljare me 2 fëmijë dhe ato mbi 65 vjeç pa të ardhura. Indeksimin me 7% të pagesës për personat me aftësi të kufizuar. Rritjen e pagës minimale dhe rritjen e pagave për disa kategori të administratës publike me 7% mesatarisht. Nga mbështetja financiare përftojnë përmes skemave të subvencionimit të naftës, fermerët, sektori i peshkimit, dhe ai i transportit.

Në paketën e ndihmës përfshihet dhe mbështetja për prodhuesit e grurit, në kushtet kur Shqipëria importon nga Rusia dhe Ukraina rreth 70% të totalit të importit të grurit në vend, ku peshën më të madhe me 64% e mban Rusia. Por për ekspertët ndërhyrjet janë të pamjaftueshme, kryesisht për shtresat me të ardhura të ulëta, duke veçuar pensionistët që sipas Ministrisë së Financave, përfitojnë nga indeksimi i fundit 1 mijë e 500 lekë në muaj për një pension mesatar. Ministrja e financave duke iu përgjigjur kritikave thotë se qeveria është treguar e matur në hartimin e politikave mbështetëse.

“Ne do donim të bënim më shumë, por roli i qeverisë është të ruajë stabilitetin makroekonomik të vendit. Ne nuk mund të marrim vendime të nxituara. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që suportin që japim, ta japim të qëndrueshëm, deri në limitin ku nuk ndikohen parametrat makroekonomikë të vendit. Nuk duhet harruar që përveç kësaj rritje ne gjithashtu suportojmë dhe subvencionojmë çdo pensionist dhe çdo familjar shqiptar për konsumin e energjisë elektrike”- shpjegoi për Zërin e Amerikës Delina Ibrahimaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Autoritetet thonë se vendimi i fundit i qeverisë që mban të pandryshuar çmimin e energjisë për familjet që konsumojnë deri në 800 kwh në muaj, përfshin 96% të konsumatorëve të kësaj kategorie që kanë të ardhura të ulëta, mesatare dhe të larta. Pjesa tjetër mbi këtë fashë do paguajë me çmimin e tregut. Zyrtarët thonë se edhe 95% e bizneseve, kanë çmim të subvencionuar të energjisë dhe s’kanë patur rritje. Por për ekspertët niveli i lartë i varfërisë në vend i minimizon këto mbështetje financiare.

“Vërtet në themi që inflacioni mesatar është në nivelet 6.9 apo 7.1% por në fakt duke patur parasysh që një pjesë e rëndësishme e familjeve shqiptare rreth 40% jetojnë në nivelin e varfërisë relative, çdo rritje cmimesh ndikon direkt në uljen e konsuimit, të fuqisë blerëse, në uljen e nivelit të jetesës, dhe minimizon efektet e mbështetjes së politikave sociale”- i tha Zërit të Amerikës Ardian Civici, Doktor i Shkenacave Ekonomike.

Por autoritetet janë optimiste, dhe flasin për qëndrueshmëri ekonomike duke u bazuar në disa të dhëna.

“Konsumi ka vijuar ritmin rritës. Instat ka publikuar të dhënat për tregëtinë me pakicë, e cila për tremujorin e dytë rezultoi në nivelin 6.1%. Tregëtia me pakicë, është një tregues që i përafrohet nivelit të konsumit në vend. Kemi dhe tregues të tjerë që flasin për rritje të aktivitetit ekonomik në vend, rritje të numrit të bizneseve, apo rritja e numrit të të punësuarve në ekonomi. Të dyja këto të dhëna në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, paraqiten me rritje”- u shpreh Delina Ibrahimaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Zyrtarët thonë se kanë arritur deri tani të ruajnë pritshmëritë për rritjen ekonomike gjatë këtij viti me 3.2%, por e ardhmja në kushtet e një krize globale mbetet sipas ekspertëve një sfidë për autoritetet. Vendet me ekonomi të brishtë si Shqipëria, sipas tyre, janë gjithnjë e më të ekspozuara përballë krizave ndaj dhe masat për minimizimin e tyre, në mjaft raste, kanë ndikim të ulët në popullatë./voa


Shtuar 24.09.2022 21:01