Javën e fundit të gushtit, Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë ku do të zgjedhë kryesinë e re dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste.
Gjithashtu në këtë takim do të ketë edhe një raportim nga ana e deputetëve, kryetarëve të degëve, ministrave dhe kryebashkiakëve në lidhje me organizimin dhe zgjedhjet e 25 Prillit.
Ata që kanë humbur në zonat e tyre, pritet që të japin llogari apo edhe të ndëshkohen duke i larguar nga postet dhe funksionet që mbajnë si në institucione qeveritare apo edhe në strukturat e Partisë.
“Ajo që dua të them është që të jeni gati për të nisur garën për fitoren në vitit 2025 dhe për zgjedhjet vendore. Gati për të kuptuar se ku do dhe si duhet të ndërhymë në makinerinë tonë elektorale, për të ndryshuar qeverisjen dhe partinë Socialiste. Nga njëra anë duhet të nisin një hapje të Partisë Socialiste, por dhe për të organizuar të gjithë struktura. Kush nuk ka arritur objektiva t’ia lë vendin dikujt tjetër. Një komision i posaçëm duhet të ngrihet me urgjencë që do të jetë një operacion ripërtëritës”.
Kështu është shprehur Rama me 10 maj 2021, gjatë një takimi me deputetët socialistë.
Në këto rrethana, Qeveria “Rama 3”, pritet të ketë emra të rinj.
Ministrat që bien dhe që rezistojnë:
Qeveria ‘Rama 3”, do të na prezantohet në shtator me përbërje të re, apo me frymë të re, siç e ka quajtur më herët kryeministri Rama.
Lëvizje thuhet se do të ketë gati gjysma e kabinetit dhe me emra të rinj dhe Rama pritet të sjellë emra surprizë.
Priten lëvizje që nga posti i zv/kryeministrit, tek ministria e Bujqësisë, Kultura, Turizmi, etj. Emra më “besnikë” dhe pozicion të fortë duken Belinda Balluku, Arben Ahmetaj, Ogerta Manastirlliu dhe Niko Peleshi.
Mësohet se Edi Rama do bëjë edhe ndryshime në strukturë e qeverisjes duke bashkuar apo ndarë disa ministri për ti dhënë një ritëm tjetër disa prioriteteve që pritet ti shpallë në mbledhjen e asamblesë të PS./Express