Qeveria gjermane përshëndet shtendosjen e gjendjes në veri të Kosovës, asnjë koment për përforcimin e KFOR-it

Qeveria gjermane është shprehur e lehtësuar pas shtendosjes së fundit të gjendjes në veri të Kosovës dhe largimit të barrikadave nga rrugët. “Ky është një sinjal i mirë i të dy palëve, që rezultoi me heqjen e barrikadave nga minoriteti serb në veri të Kosovës”, deklaroi këto ditë në Berlin zëvendëszëdhënësja e qeverisë, Christiane Hoffmann. Kjo ka rezultuar me hapjen e sërishme të të gjitha vendkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, që ishin bllokuar në dhjetor dhe në kohën e festave.

Dialogu duhet të vazhdojë

“Tani duhet të përqendrohemi tek mbështetja e dialogut dhe vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë është duke bërë qeveria gjermane”, shtoi Hoffmann. Gjermania mbështet përpjekjet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian për ndërmjetësim në dialog.

Hoffman dhe një zëdhënës tjetër i ministrisë së Jashtme nuk deshën të komentojnë kërkesat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për dërgimin e më shumë ushtarëve të NATO-s në Kosovë. Hoffmann tha se qeveria gjermane do të përqendrohet edhe më tej në vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen e problemeve me dialog.

Kryeministri Kurti kishte deklaruar në një intervistë për gazetën gjermane  “Die Welt” se “Forcimi i trupave të NATO-s në vendin tonë do të forconte edhe sigurinë dhe paqën, jo vetëm në Kosovë por në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Forcimi i trupave të NATO-s?

Autoritetet gjermane nuk deshën ta komentojnë këtë kërkesë. Por përfaqësuesit e NATO-s kanë qenë të qartë në deklaratat se ata janë në gjendje të kujdesen për paqen dhe sigurinë. KFOR-i është në Kosovë prej vitit 1999 dhe kujdeset për sigurinë e vendit. Rreth 3.800 trupat e NATO-s janë garanci për sigurinë në të gjithë Kosovën. Në këtë kontigjent janë edhe rreth 70 ushtarë gjermanë.

Ngjarjet në veri kanë përshkallëzuar pas vendimeve për ndryshimin e targave ilegale, qe ka rezultuar me daljen e serbëve nga veriu nga institucionet e Kosovës, shpalljet dhe pastaj shtyrjen e zgjedhjeve për kryetarë bashkish në veri, sulmet ndaj përfaqësuesve të Kosovës por edhe atyre të bashkësisë ndërkombëtare, arresimin e disa personave dhe lirimin në arrest shtëpie, bllokimin e rrugëve dhe heqjen e barrikadave.

Por ajo që ka shqetësuar më shumti si përfaqësuesit politikë e diplomatikë, ashtu edhe ushtarakë, është retorika luftarake që është dëgjuar në Beograd, rritja e shkallës së gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe të policisë serbe, por edhe kërcënimet nga autoritetet e Kosovës se do të veprojnë me dhunë për heqjen e barrikadave. Situata në veri tani është e qetë, por problemet kanë mbetur. Berlini tani kërkon vazhdimin e dialogut./dw


Shtuar 4.01.2023 13:57