Qeveria ka ndarë 6 milionë euro për tejkalimin e krizës energjetike.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kjo është e nevojshme për të vazhduar subvencionimin e tarifave dhe qytetarëve që e kursejnë energjinë elektrike.
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave për ndarjen e gjashtë milionë euro për subvencionim të faturave të energjisë elektrike për amvisëritë të cilat kanë ulur konsumin krahasuar me muajt përkatës të vitit paraprak.
Vendimi është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.
“Në kuadër të subvencionimit të energjisë elektrike, bëjmë ndarjen e radhës në shumë 6 milionë euro në mënyrë që të vazhdohet subvencionimi i atyre që kanë kursyer energjinë elektrike”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.
Masa 3.7 e Pakos për Ringjallje Ekonomike parasheh mbështetjen e qeverisë në tejkalimin e krizës energjetike.
“Amvisëritë të cilat ulin konsumin e energjisë elektrike krahasuar me muajt përkatës të vitit paraprak e që kualifikohen për përfitim, mbështeten me subvencionim të faturës së energjisë elektrike në raport me kursimin, duke filluar nga fatura e muajit Shtator 2022”, thuhet në Pakon për Ringjallje Ekonomike.
Qeveria e Kosovës nga muaji shtator ka filluar të subvencioni qytetarët të cilët kursejnë energjinë elektrike. Ky subvencionim i energjisë elektrike, është në kuadër të pakos që është përgatitur nga ekzekutivi për të përballuar inflacionin.
Qytetarët do të subvencionohen për dyfishin e kursimit të energjisë elektrike. Konsumatorët nuk kanë nevojë të aplikojnë pasi do të përdoren të dhënat nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati kishte njoftuar që nëse një familje ka shpenzuar 1,000 kilovat në shtatorin e vitit të kaluar ndërsa në shtatorin e këtij viti ka harxhuar 900 kilovatë, ajo do të subvencionohet për dyfishin e kursimit, do të thotë 20% (pasi që 10% është kursimi në mes dy muajve, ndërsa dyfishi i kursimit është 20%)./monitor