Propozimi i ZRRE-së në Kosovë: Çmimi i energjisë të rritet për këto kategori të konsumatorëve

Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar sot një raport konsultativ në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm që e kanë bërë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike. ZRRE konstaton se rritja e konsumit të energjisë elektrike që u vërejt në vitin 2021 është shkak edhe i një ndryshimi të strukturës tarifore në vitin 2017.

Struktura tarifore e ndryshuar në vitin 2017, sipas ZRRE-së ka pasur ndikim të konsiderueshëm negativ në sistem, duke rezultuar në rritjen e kërkesave për rrymë dhe rrjedhimisht, shpenzimeve në blerjen e energjisë elektrike.

Duke e marrë për bazë një zotim të Ministrisë së Ekonomisë se do t’i ndajë 75 milionë euro për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifa, ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për ata konsumatorë që nuk shpenzojnë më shumë se 600 këh rrymë në muaj. Kësisoj, organi që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë thotë se mjetet e ndara nga Qeveria do ta shmangnin nevojën për rritjen e çmimit të rrymës për këtë kategori konsumatorësh, raporton Gazeta Express.

“Subvencioni i dhënë nga Qeveria efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesorë të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë (deri në 600 këh për muaj)”, thuhet në raportin e ZRRE-së.

Sipas ZRRE-së, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 këh rrymë në muaj dhe ata që shpenzojnë edhe më shumë se kaq, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.

Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 këh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 këh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.

Propozimi i rritjes së çmimit të rrymës në rast se Qeveria nuk i ndan 75 milionë euro:

Në rast se Qeveria e Kosovës nuk subvencionon, ZRRE-ja e konsideron të nevojshëm rritjen e çmimit të rrymës edhe për kateogritë tjera.

Në këtë rast, ZRRE-ja propozon që tarifat e energjisë elektrike të ndryshohen në mënyrë që për konsumatorët biznesorë të rritet çmimi i rrymës për 9%.

Rritje e çmimit të rrymës për 9% është propozuar edhe për konsumatorët shtëpiak, të cilët konsiderohet se shpenzojnë deri në 600 këh rrymë në muaj.

Në këtë rast, gjithashtu është propozuar aplikimi i tarifës prej 0.21 €/këh për energjinë e shpenzuar në kohën e tarifës së lartë (gjatë ditës) dhe 0.09 €/këh për energjinë e shpenzuar në tarifën e ulët (gjatë natës).

Si klasifikohen konsumatorët?

Konsumatori që shpenzon 300 këh/muaj vlerësohet si konsumator që shpenzon energjinë e nevojshme për të mbuluar nevojat esenciale për një familje 4 antarëshe. Gjatë vitit, 20.5% e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj, sipas ZRRE-së. Këta konsumatorë futen në kategorinë A.

Konsumatori me konsum 450 këh/muaj – paraqet konsumin mesatar të një konsumatori të amvisërisë gjatë vitit. Bazuar në të dhënat e KEDS-it, konsumi mesatar (nga viti 2012 – 2020) nga amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 këh/muaj, është ~ 460 këh/muaj. Konsumi mesatar në vitin 2021 për konsumatorët e amvisërive që shpenzojnë mbi 300 këh/muaj energji elektrike është rreth 440 këh/muaj. Gjatë vitit, 44% e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj. Këta konsumatorë futen në kategorinë B.

Konsumatori me konsum 600 këh/muaj – paraqet konsumin bazik minimal të një konsumatori me ngrohje elektrike gjatë dimrit, në bazë të analizave gjatë vendosjes së bllokut në tarifat e kaluara, 69% të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit, dhe 79% të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë nivel gjatë muajve të verës. Këta konsumatorë futen në kategorinë C.

Konsumatori me konsum 800 këh/muaj – paraqet një konsumator me konsum mbi bllokun e propozuar. Këta konsumatorë futen në kategorinë D.

Konsumatori me konsum 1000 këh/muaj – paraqet një konsumator me konsum më të lartë të energjisë elektrike. Këta konsumatorë futen në kategorinë E.

ZRRE-ja u ka ofruar kompanive, konsumatorëve dhe palëve tjera të interesit mundësinë që t’i shqyrtojnë të dhënat dhe qëndrimet e paraqitura në raportin e publikuar dhe t’i komentojnë ato, duke paraqitur argumente kundër ose duke ofruar të dhëna të reja./Ekspress/


Shtuar 17.01.2022 18:56