Qëlloi me armë nga gëzimi në dasmë, plumbi “qorr” plagos babë e bir

Një tjetër aheng familjarë që përfundoi me dy të plagosur, është rasti më i ri që ka regjistruar MPB, e që ka ardhur si pasojë e të shtënave me armë zjarri nëpër dasma. Bëhet fjalë për një ngjarje në një aheng në oborrin e një shtëpie në Ohër, ku një i ftuar 60 vjeçar, ka gjuajtur disa plumba dhe kanë mbetur të plagosur një 39 vjeçar dhe djali i tij 6 vjeçar i cili ka marrë lëndime në shputat e të dyja këmbëve. Sipas burimeve të Alsat, ai akoma po kurohet në spital, ndërsa është jashtë rrezikut për jetën.

“ Më duhet të them se këto raste janë gjithnjë e më pak në periudhën e fundit, por për fat të keq kemi edhe raste të tilla ku kemi edhe persona të lënduar, gjatë gjuajtjes nëpër ahengje. Rasti i fundit është në Ohër, ku kemi një baba dhe të birin, të cilët janë lënduar, pasi një person fatkeqësisht i paautorizuar ka gjuajtur në një aheng familjar. MPB vazhdimisht bën thirrje tek qytetarët që kur të bëhen festa të mos përdoren aspak armë dhe të mos ketë fishekzjarre të pa paraqitura, pasiqë mund që me një lëvizje të prishet e gjithë festa,” tha Toni Angellovski, Zëdhënës i SPB Shkup.

Por vetëm pak dit më parë, rast të ngjashëm kishte edhe në Tetovë kur një plumb ka përfunduar tek 67 vjeçari, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Sipas SPB-së vetëm në rajonin e Tetovës, gjatë këtij sezoni, janë regjistruar tre raste ku si pasojë e plumbave “qorrë” janë lënduar 3 persona, ndërsa janë arrestuar dhjetra të tjerë.

Kohëve të fundit kemi pasur tre raste të palakmueshme. Rasti i parë ka ndodhur në Çegran të Gostivarit ku një zonjë duke qëndruar në oborrin e saj të shtëpisë ka qenë e goditur nga një plumb i padestinuar apo plumb endacak që i ka shkaktuar lëndime trupore. Lidhur me këtë rast janë arrestuar 13 qytetarë nga Çegrani dhe një nga Gostivari…. Një tjetër rast ka ndodhur në fshatin Çellopek të Tetovës ku një person ka ngelur i lënduar lehtë për fat të mirë, me një plumb që i ka rënë në kokë, gjithashtu plumb i padestinuar dhe rasti i tretë ka ndodhur në qytetin e Tetovës, fundjaven që lam pas, gjatë ditës së premte, në rrugën Ivo Lola Ribar, ku një 67 vjeçar ka pësuar gjithashtu lëndime të lehta trupore, deklaroi Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i SPB Tetovë.

Nga MPB kujtojnë se të shtënat me armë zjarri janë në kundërshtim me ligjin. Varësisht pasojave, për përdorim të armëve parashihet dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet.


Shtuar 7.08.2023 16:55