Shtetet e Bashkuara janë ende duke pritur që zyrtarët evropianë të paraqesin një plan përfundimtar për trajnimin e pilotëve ukrainas në avionët luftarakë F-16, të cilin SHBA do të duhet ta autorizojë përpara se programi të fillojë realisht, thanë zyrtarët e njohur me këtë çështje për CNN.
Trajnimi supozohet të fillojë këtë muaj, kanë thënë publikisht presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe zyrtarë evropianë. Por dy muaj pasi presidenti Joe Biden njoftoi mbështetjen e SHBA për trajnimin e pilotëve ukrainas në F-16, mbeten një sërë detajesh kritike për t’u zgjidhur.
Është gjithashtu ende e paqartë se cilat vende do të angazhojnë F-16 në programin e trajnimit dhe për vetë Ukrainën pasi të përfundojë programi. Transferimi i avionëve në Ukrainë do të kërkojë miratimin e veçantë të SHBA.
Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes i thanë CNN se SHBA është ende duke vendosur nëse do të dërgojë pilotët amerikanë për të ndihmuar në trajnimin e ukrainasve, por se asnjë vendim nuk do të merret derisa të autorizohet një plan trajnimi përfundimtar.
Programi i trajnimit po mbështetet nga një koalicion prej 11 vendeve të NATO-s dhe kërkon miratimin zyrtar të SHBA-së, sepse F16 është një teknologji amerikane.
Vetë kursi pritet të zhvillohet në Danimarkë dhe Rumani, me ndihmën e Holandës, Belgjikës, Kanadasë, Luksemburgut, Norvegjisë, Polonisë, Portugalisë, Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, thanë zyrtarët.
Por detajet, duke përfshirë datat, vendndodhjet dhe gjatësinë e programit mësimor “janë ende duke u përpunuar”, tha Koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Komunikimet Strategjike John Kirby gjatë një konference javën e kaluar./Albeu.com/