“Putin nuk duhet të qëndrojë më në pushtet,” Kremlini i kthehet Biden-it: Këtë s’e vendosni ju, por qytetarët tanë

Presidenti amerikan është shprehur sot nga Polonia se Rusia duhet të ndryshojë regjim duke shtuar se Vladimir Putin nuk mund të rrijë më në pushtet. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kremlinit. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov është shprehur se për regjimin në Rusi vendosin qytetarët e vendit dhe jo Joe Biden.

“Për hir të Zotit, ky burrë nuk mund të qëndrojë më në pushtet,” tha Biden ndërsa mbyllte fjalimin e tij në Kështjellën Mbretërore në Varshavë.

Kjo ishte deklarata më e fortë që Biden ka bërë sa i përket ndryshimit të regjimit në Rusi dhe kjo pasqyron një ndryshim të rëndësishëm edhe në qasjen amerikane ndaj Moskës, shkruan CNN. Zyrtarët amerikanë janë shprehur më herët se largimi i Putinit nga pushteti nuk ishte qëllimi i tyre.

“Për ne, nuk ka të bëjë me ndryshimin e regjimit. Populli rus duhet të vendosë se kush dëshiron t’i udhëheqë,” tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në fillim të këtij muaji.


Shtuar 26.03.2022 19:51