Gazetari investigativ Artan Hoxha, ka komentuar aksionin e fundit të Policisë së Shtetit, ku u zbërthyen 6 vrasje të bëra në Shqipëri dhe Greqi, kjo pas dëshmive të bëra nga Artan Tafani, i penduari i drejtësisë, që dikur kryente vrasje për llogari të Laert Haxhiut.
I ftuar në emisionin “Të Pakespozuarit”, Hoxha tha se falë dëshmive të dhëna nga Artan Tafani, po neutralizohet grupi më i madh i vrasësve në Shqipëri, të cilët punonin për llogari të Laert haxhiut.
Siaps tij ky ëhstë një grup mjaft i rrezikshëm dhe kanë kryer më shumë vrasje se asnjë grup tjerëtr në dekadën e fundit.
“Është operacion shumë i suksesshëm, sepse hoqi nga qarkullimi një grup që mund të ketë kryer numrin më të madh të vrasjeve në Shqipëri në dekadën e fundit. Ata kanë ndezur Lushnjën flakë. Është grup shumë i rëndësishëm, më i rëndësishmi në fushën e vrasjeve me pagesë dhe vrasjeve që janë bërë me klering, me shkëmbim. Çdo grup që kishte nevojë të eleminonte kundërshtarët, kontaktonte këta. Te pjesa e vrasjeve, ka qenë grup shumë i rëndësishëm.
Lideri i grupit, Laert Haxhiu nuk është kapur kurrë. Tani është në Janinë. Është kapur nga Greqia dhe i është refuzuar ekstradimi për në Shqipëri. Shpresojmë që në apel Greqia të lejojë ekstradimin.
Hetimi është bërë nga Prokuroria e Elbasanit.
Nga 17 tetori Marjus Tafani ka qenë në kërkim dhe ka vijuar të bëjë krime të tjera. Ai ka vrarë Elton Mermalin, ish pjesëtar i grupit të Aldo Bares. Marjus Tafani dhe Lulzim Spahija e kanë marrë Elton Mermalin në makinë, e kanë marrë me pretendimin që kemi një person që ka mall të mirë, për të konsumuar lëndë narkotike. Viktima u gjet në një vend që njihej si thertorja e kafshëve, është gjetur me tre plumba. Ka qenë koha kur po goditej çdo njeri edhe i rrethit të largët të Aldo Bares. Denoncimin e ka bërë e ëma dhe të nesërmen është denoncuar gjetja e kufomës. Ka nisur hetimi i prokurorisë së Elbasanit.
Të tjerat, janë vrasje që kanë qenë të kontraktuara. Dy vrasje në Greqi janë bërë për shkak të mosmarrëveshjeve për trafikun e kokainës. Me aq informacion sa kemi patur, prokuroria është deri në 20-30% të aktivitetit të tyre kriminal.
Të lidhur me këtë grup janë organizata shumë të fuqishme, të lidhura me trafikun e kokainës të hetuara nga belgët, gjermanët, etj, një pjesë e tyre gjenden në Dubai. Nëse do të hetohet, do të shohim rezultate të jashtëzakonshme për organizata të mëdha të trafikut.
Vetë personi i kapur, nuk ka rezistuar shumë, ka dhënë deklarime shumë të mëdha dhe vrasje të rëndësishme në Durrës, Vlorë, Tiranë, Tropojë.
Të gjitha, vrasje të kontraktuara nga organizata të mëdha të trafikut të kokainës. Deklarimet e tij shërbejnë si indicie.
Tek vrasjet që janë finalizuar ka qenë prezent dhe ka treguar me detaje, sidomos për këtë që e quajta skuadra operative. Kanë qenë biznes i mirëfilltë vdekje“, deklaroi Hoxha.