Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka publikuar listën e ngushtë (shortlist) të filmave që do të garojnë në 12 kategori për ceremoninë e 98-të të çmimeve prestigjioze “Oscar”. Gala e madhe e kinematografisë botërore do të mbahet më 15 mars, ndërsa prezantues i mbrëmjes do të jetë aktori dhe komediani i njohur Conan O’Brien.
Në këtë fazë paraprake, anëtarë të ndryshëm të Akademisë kanë votuar për disa kategori kyçe, mes tyre: filmi dokumentar i gjatë dhe i shkurtër, filmi ndërkombëtar (i huaj), filmat e shkurtër artistikë dhe të animuar, si edhe kategori teknike si grimi dhe frizurat, muzika dhe kënga origjinale, zëri dhe efektet vizuale.
Një risi e rëndësishme këtë vit është përfshirja për herë të parë e kategorive të reja, si Kasti më i mirë (Casting) dhe Fotografia më e mirë (Cinematography), duke reflektuar vëmendjen gjithnjë e më të madhe ndaj elementëve krijues pas suksesit të një filmi.
Në kategorinë e Filmit më të Mirë Ndërkombëtar janë përzgjedhur 15 kandidatë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Argjentinën, Brazilin, Francën, Gjermaninë, Indinë, Japoninë, Palestinën, Korenë e Jugut, Spanjën, Zvicrën dhe Tunizinë. Ndërkohë, lista të gjata janë publikuar edhe për dokumentarët dhe filmat e shkurtër.
Në kategoritë teknike dhe muzikore bien në sy disa nga prodhimet më të mëdha të vitit, si “Avatar: Fire and Ash”, “Frankenstein”, “F1”, “Sinners”, “Wicked: For Good” dhe “Tron: Ares”, të cilët shfaqen në disa kategori njëkohësisht.
Kjo shortlist përfaqëson hapin e fundit përpara shpalljes zyrtare të nominimeve finale për çmimet “Oscar”.
