PSG nuk dorëzohet, i bën ofertë zyrtare Messit

PSG-ja vazhdon të insistojë për Lionel Mesin e do ta përfshijë në projektin e saj për sezonin e ardhshëm. Klubi francez ka prezantuar një ofertë në drejtim të yllit argjentinas për 2 sezonet e ardhshme dhe opsionin për të rinovuar edhe një vit tjetër. Lajmin e ka bërë të ditur “TNT Sport Brasil”.

Sipas medias braziliane, PSG-ja konsideron që në aspektin ekonomik oferta është e parefuzueshme nga Lionel Mesi. Drejtuesit e klubit francez janë të bindur dhe mendojnë se projekti i tyre është shumë i rëndësishëm në aspektin sportiv dhe duan që të fitojnë Ligën e Kampionëve. Vitin e kaluar ata ishin finalistë dhe këtë sezon janë në gjysmëfinale. Në fakt, interesi i PSG-së ndaj Mesit nuk është diçka e re, por sulmuesi i Barcelonës ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë dhe vendimin përfundimtar për të ardhmen do ta marrë në qershor, kur të mbyllë kontratën me katalanasit.

Fitorja e Kupës së Mbretit. dhe mundësia për të triumfuar në La Liga i japin besim Joan Laportës dhe tifozëve të Barcelonës, të cilët mendojnë që kapiteni i tyre do të vazhdojë të qëndrojë në “Camp Nou”. Presidenti i katalanasve është duke bërë llogaritë dhe po sheh bilancet përpara se të takohet me babanë e Mesit, i cili është njëkohësisht edhe agjenti i tij. Kërkon t’i propozojë një ofertë konkrete dhe të kënaqshme. Kapiteni nga ana tjetër dëshiron që të jetë i përqendruar në kompeticionin e kampionatit, ku Barcelona mund të bëjë dopietë.

Tani ka mbetur një muaj për të përfunduar kompeticioni dhe atëherë do të nisin seriozisht negociatat me klubet e ndryshme, të cilat kërkojnë të kontaktojnë me Lionel Mesin. Në “Camp Nou” e dinë që nuk mund të barazojnë dot aspektin ekonomik të ofertave të tjera, si PSG-ja apo ndoshta Mançester Siti, por duan që të fokusohen tek aspekti “romantik” dhe te dashuria që Mesi ndien për fanellën e Barcelonës.

Sigurisht që duke i ofruar një projekt të mirë sportiv ai mund të pranojë të qëndrojë, pavarësisht problemeve të shumta që kishte në verën e kaluar me ish-presidentin Bartomeu. Me Laportën është histori tjetër dhe mund të ndryshojë mendje.

Shtuar 28.04.2021 10:04