Pse Perëndimi po heziton t’i dërgojë avionë ushtarakë Ukrainës?

Pse vendet perëndimore nuk janë të gatshme t’i ofrojnë Ukrainës avionë të shpejtë, pavarësisht nga avantazhi i qartë që do t’i jepnin Ukrainës?

Një arsye kryesore është frika e vazhdueshme se do të përshpejtojë një zgjerim të konfliktit përtej kufijve të Ukrainës. Të gjitha armatimet e ofruara deri më tani janë me rreze më të shkurtër, duke i lejuar Ukrainës të shtyjë një avancim rus, por jo shumë më tepër, shkruan Sky News.

Vendet perëndimore nuk mund të garantojnë që ushtria e Ukrainës nuk do të përdorë avionë perëndimorë (ose raketa me rreze të gjatë për këtë çështje) për të goditur objektivat brenda vetë Rusisë.

Presidenti rus paralajmëroi vetëm këtë javë se dërgimi i armëve perëndimore me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë do t’i jepte atij justifikimin për të goditur më tej perëndimin, ndoshta brenda vendeve të NATO-s.

Sku News pyeti ministrin e Jashtëm të Ukrainës për këtë çështje, nëse Ukraina do të godasë apo jo Rusinë e të krijojë një konflikt shumë më të madh.

“Ne po përdorim armët që marrim nga partnerët për të goditur Rusinë në territoret e okupuara të Ukrainës”, tha Dmytro Kuleba.

“Ne mund të garantojmë se do të përdorim armët perëndimore për të çliruar territoret ukrainase”, theksoi ai.

Dhe në këtë pikë qëndron edhe problemi. Për të çliruar territoret e Ukrainës, sulmet ndaj trupave ruse dhe linjave të furnizimit me pajisje brenda Rusisë pothuajse me siguri do të ishin të nevojshme. /albeu.com


Shtuar 23.02.2023 17:07