Pse nuk ndërhyri policia? Rama flet për grumbullimet e opozitës: Uroj me gjithë zemër!

Kryeministri Edi Rama, pasditen e sotme, takimin e radhës elektoral e ka pasur në Shkodër, nga ku nuk kanë munguar edhe komentet për grumbullimet e opozitës.

Teksa ka uruar që pas dy apo tre javësh qytetarët që kanë marrë pjesë në miting apo grumbullime masive të mos përfundojnë në spital, Rama ka treguar edhe arsyen pse policia nuk ndërhyn për t’i shpërndarë.

Ai thotë se ka folur për këtë çështje, por autoritetet i kanë thënë se “nëse reagojmë ne ndaj kësaj që bëhet, ata e kanë treguar se mund të bëjnë shumë, shumë, shumë më keq”.

Rama: Ça t’i thuash këtyre që sot në kulmin e një lufte për shëndetin, kur ne ja kemi dalë të hyjmë në procesin e vaksinimit masiv këta vazhdojnë si në ’90 me makina, me bori, me flamuj, me dy gishta, me ulërima, nëpër rrugë, duke u mbledhur dhe duke puthur në buzë covidin. Ndërkohë që lideri i tyre rri mbi makinë. Kjo është e pabesueshme, infektim masiv. Uroj me gjithë zemër që këta të mos përfundojnë nëpër spitale pas 2-3 javësh se aq i duhet COVID-it të të vijë të të kapi fytin dhe të marrë frymën.

Por llogaria që bëjë ata që i mbledhin është punë e madhe shumë se për dy apo tre javë kanë mbaruar zgjedhjet. E kuptoni se çfarë janë këta që nuk kanë kufij në boshllëk të lidershipit, përgjegjshmërisë, njerëzore. Janë bosh, nuk duan t’ia dinë fare.

Jam dakord me disa njerëz që thonë ore çfarë ke ti që ankohesh, shteti duhet të veprojë, këta duhet të ndëshkohen, policia duhet të ndërhyjë se qytetari i thjeshtë kur shkel rregullat ndëshkohet. I kuptoj shumë mirë por njerëzit duhet të kuptojnë se policia ka të drejtë.

Unë kam pyetur disa herë se si e sheh policia këtë punë dhe ata kanë të drejtë kur thonë se nëse reagojmë ne ndaj kësaj që bëhet, ata e kanë treguar se mund të bëjnë shumë, shumë, shumë më keq dhe policia nuk mund të futet në luftë me një tufë të papërgjegjshmish, që kanë dalë rrugëve të Shqipërisë dhe duan të marrin drejtimin e vendit, kur nuk janë në gjendje të tregojnë as minimumin e respektit për ligjin jo e jo, por për shëndetin e njerëzve më besnikë, të verbrit më të verbër. I mbledhin dhe del gjoja Luli me makina dhe bën aty një dasmë spontane në mes të rrugës.

 


Shtuar 31.03.2021 18:31

Tags: