Kreu i Grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi Partia Socialiste mori në mbrojtje Olta Xhaçkën, duke penguar kalimin e mandatit të saj në Gjykatën Kushtetuese.
Deputeti demokrat e ka konsideruar një “puç kushtetues të Kuvendit’, duke theksuar se u injorua autoriteti i Gjykatës Kushtetuese.
“Është i pandodhur kurrë në 34 vjet, i paprecedent dhe i denjë vetëm për regjimet diktatoriale”, tha Bardhi, duke shtuar se “me votë politike të Edi Ramës në Kuvend dje u ekzekutua përfundimisht Reforma në Drejtësi”.
Reagimi i plotë nga Gazment Bardhi:
“Me votë politike të Edi Ramës në Kuvend dje u ekzekutua përfundimisht Reforma në Drejtësi. Puçi kushtetues i Kuvendit duke injoruar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese është i pandodhur kurrë në 34 vjet, i paprecedent dhe i denjë vetëm për regjimet diktatoriale.
Dje u varros përfundimisht edhe propaganda e Edi Ramës për komisione të posaçme për Shtetin Ligjor. Të gjithë ata që dyshuan se Edi Rama tjetër gjë thotë dhe tjetër gjë bën, morën përgjigje finale me votimin e djeshëm, ku për herë të dytë Edi Rama refuzoi të ekzekutojë vendimet e GJK.
Shteti personal nuk ka asnjë lidhje me shtetin ligjor. Një vend kandidat për në BE dhe një vend anëtar i NATO-s ka shkelmuar para çdo shqiptari dhe ndërkombëtari parimet elementare të shtetit ligjor. Nga dje Shqipëria nul ka asnjë dallim me vendet autoritare!
GPPD dënon me forcë aktin e djeshëm të Kuvendit dhe të Edi Ramës, për ti dhënë statusin e paprekshme nga drejtësia bashkëpunëtores së tij dhe garanton se do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor“, shkruan Bardhi.