Protestë në orën 11:00, Shqipëria “derdhet” sot në shesh për “bukën e gojës”

Ditën e sotme në orën 11:00 pritet të mbahet një tjetër protestë kombëtarë kundër rritjes së çmimeve.

Kjo është protesta e katërt kombëtare, që mbahet pas rritjes drastike të çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve.

Protestat e kanë shtrirë perimetrin e tyre në gjithë Shqipërinë dhe që prej nisjes së tyre, edhe niveli i çmimit të naftës shënoi një rënie të vogël.

Protesta nisi në Shkodër, ku shoferët bllokuan lëvizjen në urën mbi Bunë, më pas në Tiranë, para Kryeministrisë, ndërsa u përhap dhe në rrethe të tjera, si Lushnjë, Devoll, Korçë, Mirditë, Laç, Berat, Tepelenë, etj. Një numër i madh forcash policie është planifikuar të jenë sot në terren për të ruajtur rendin dhe qetësinë. Policia iu ka bërë thirrje protestuesve të mos bllokojnë rrugët.

Kryeministri Rama pati një reagim pas ditës së parë të protestës dhe njoftoi ngritjen e Bordit të Administrimit të karburantit, çka pasoi me uljen e ndjeshme të çmimit të karburantit, i cili ishte ngritur prej disa ditësh me lëvizje të ndryshme, me raste dhe dy herë brenda ditës. Ndërkohë dje, Rama tha se ata që protestojnë nuk janë popull, por po e njëjta pakicë e zhurmshme në kërkim të rrëmujës!

“Për kë e njeh dorën e nongratave të shpallur e të pashpallur, këto protesta janë një përpjekje e ulët e te të njëjtave hije të së shkuarës, për të manipuluar njerëzit duke hedhur gurin e fshehur dorën! Ky nuk është populli, po e njëjta pakicë e zhurmshme në kërkim të rrëmujës!”, shkroi Rama./albeu.com/