Protesta në Madrid kundër qeverisë rajonale: Po shkatërrojnë shëndetësinë publike

Dhjetëra mijëra punonjës shëndetësorë demonstruan në Madrid të dielën kundër asaj që ata thonë se është shkatërrimi i sistemit shëndetësor publik nga qeveria rajonale konservatore.

Qeveria rajonale e Madridit, e udhëhequr nga Isabel Diaz Ayuso e Partisë Popullore, është vënë nën kritika vitet e fundit, veçanërisht që nga shpërthimi i pandemisë Covid-19 në vitin 2020, për mungesat e stafit në spitale dhe qendra të kujdesit shëndetësor parësor.

Protestuesit thonë se qeveria rajonale po çmonton shërbimet shëndetësore publike dhe po favorizon ofruesit privatë të shëndetësisë.

“Ne kemi rreth 40 ose 50 pacientë në ditë dhe mund t’u japim atyre rreth gjashtë minuta secilit. Problemi është se ata nuk na lejojnë të ofrojmë kujdesin e duhur për pacientët”, i tha Reuters Ana Enquinas, një mjeke që ka punuar në kujdesin parësor në Madrid për 37 vjet.

Ayuso mohon akuzat se qeveria e saj po çmonton shërbimet shëndetësore publike në favor të sektorit privat dhe thotë se protestat dhe grevat po orkestrohen nga partitë e krahut të majtë përpara zgjedhjeve komunale dhe rajonale të këtij viti për të minuar qeverinë rajonale konservatore.

Në nëntor, dhjetëra mijëra njerëz marshuan në qendër të Madridit për të mbështetur punonjësit e shëndetësisë që kërkonin kushte më të mira pune. /albeu.com


Shtuar 15.01.2023 18:04