Protesta masive në Izrael kundër reformës në drejtësi

Mijëra izraelitë janë mbledhur sërish në Tel Aviv për të vazhduar protestën e tyre kundër reformës së qeverisë në sistemin e drejtësisë, përpara një jave vendimtare në të cilën priten protesta të reja masive.

Protestat janë zhvilluar çdo javë që kur qeveria e Benjamin Netanyahu, një nga më të djathtat në historinë e Izraelit, prezantoi një projekt-ligj përçarës reformash në janar.

Duke shkaktuar shqetësim brenda dhe jashtë vendit, reforma synon të rrisë kompetencat e zyrtarëve të zgjedhur mbi gjyqtarët.

Sipas kritikëve të saj, ajo rrezikon natyrën demokratike të shtetit të Izraelit.

Aleatët kryesorë të Izraelit, përfshirë Uashingtonin, kundërshtuan planet, të cilat synojnë t’u japin më shumë pushtet politikanëve dhe të zvogëlojnë rolin e Gjykatës së Lartë.

Presidenti amerikan Joe Biden ka shprehur shqetësimin për këto reforma gjyqësore, tha të mërkurën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karin Jean-Pierre.

Në Londër, ku u takua të premten me homologun e tij britanik Rishi Sunak, Netanyahu u prit gjithashtu nga qindra protestues.

Megjithatë, Netanyahu dhe aleatët e tij të ekstremit të djathtë dhe ultra-ortodoksë e shohin këtë plan reformash si të nevojshëm për të rivendosur një ekuilibër pushteti midis zyrtarëve të zgjedhur dhe Gjykatës së Lartë, të cilën ata e shohin si të politizuar.

Ligjvënësit izraelitë pritet të votojnë javën e ardhshme për një nga elementët kryesorë të reformës, në të cilën janë fokusuar kritikët, që përfshin ndryshimin e procesit të emërimit të gjyqtarëve./albeu.com