Propozimi francez del në Kuvendin e Maqedonisë se Veriut, opozita proteston

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nis të enjten debati për miratimin e dokumentit të njohur si “propozimi francez”, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë. Dy vendet, prej kohësh, kanë mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që kanë bllokuar integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Franca ka dalë me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët.

Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por jo edhe opozita, e cila, tash e dy javë gati, organizon protesta. Deputetëve të Maqedonisë së Veriut pritet t’iu drejtohet sot me një fjalim edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Zyrtarë të lartë evropianë dhe amerikanë kanë bërë thirrje për miratimin e propozimit, si mundësi e vetme për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, por edhe për, siç kanë thënë, forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë vend dhe më gjerë.

Miratimi i propozimit në Kuvend do të nënkuptonte mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shkupit dhe Brukselit, ndërsa kapitujt e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE do të nisnin vetëm pas ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.

Pika e propozimit që ka nxitur më së shumti debat, është ajo e gjuhës maqedonase, e cila kontestohet nga Sofja, me pretendimin se para vitit 1945 ajo ka pasur “rrënjë bullgare”, sikurse edhe e kaluara e shumë figurave historike, identiteti i të cilave pretendohet nga të dyja shtetet.

Opozita maqedonase, e udhëhequr nga partitë VMRO DPMNE dhe E Majta, mbetet në qëndrimin se propozimi “rrënon” identitetin maqedonas, gjuhën dhe të kaluarën historike.
Sipas saj, propozimi nuk do të kalojë në momentin kur do të nevojitet miratimi i ndryshimeve kushtetuese me dy të tretat e votave, të cilat shumica parlamentare nuk i ka.

“Konkluzionet do të kishin kuptim vetëm nëse Qeveria [e Maqedonisë së Veriut] pranon të korrigjohet propozimi francez, duke hedhur poshtë të gjitha shantazhet, përfshirë ndryshimin e Kushtetutës. Nëse pranohet kështu, Maqedoninë [e Veriut] do ta fusin në një proces të krizave politike dhe tensioneve, në dhjetë vjetët e ardhshëm. Por, besoj se propozimi do të ngecë te ndryshimet kushtetuese”, ka thënë Antonio Milloshoski, deputet i VMRO DPMNE-së.

Partia qeverisëse, Lidhja Social Demokrate (LSDM), beson në të kundërtën, duke thënë se propozimi nuk dëmton asnjë interes kombëtar apo shtetëror të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski u ka bërë thirrje deputetëve që interesat shtetërore t’i vendosin, siç ka thënë, para atyre partiake.

Sipas Grupit Parlamentar të LSDM-së, konkluzionet që do t’i miratojë Kuvendi, janë në përputhje të plotë më interesat kombëtare maqedonase.

Partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet dhe Aleanca për Shqiptarët në opozitë, e mbështesin propozimin, si “zgjedhja e vetme dhe më e mirë e mundshme për zhbllokimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”.

Miratimi i propozimit, sipas tyre, “do të evitonte mundësinë e rritjes së ndikimeve ruse në vend dhe do të forconte stabilitetin jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe më gjerë”.  Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim në BE tash e 17 vjet. Edhe pse zyrtarët evropianë kanë dhënë dritën jeshile për nisjen e negociatave të anëtarësimit, Bullgaria, si vend i BE-së, i ka vënë veto procesit.

Gjatë debatit në Kuvend priten edhe protesta, por Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë masa të forta sigurie para ndërtesës së Kuvendit dhe institucioneve të tjera në Shkup./REL/