Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit iu përgjigj dhe njëherë akuzave të Gazment Bardhit se ishte pronar i dy kateve në një kullë.
Basha teksa ka mohuar akuzat, e cilësoi Bardhin avokat të Berishës, ndërsa thejsoi se familja e tij ka të deklaruar çdo cent.
“Përgjigja ime ishte aty. Është shpifje e pastër e shkollës berishiste. Vjen nga një njeri që sulmonte babain e Zenit dhe sot është bërë avokat dhe i kullave 64 katëshe. Familjarët e mi e kanë çdo gjë transparente, cent më cent taksat ndryshe nga aleancat e kullave dhe avokati i tyre më i ri, Gaz Bardhi.”, tha ai.
Basha ka reaguar pas përjashtimit nga grupi parlamentar të 11 deputetëve, me arsyetimin se mbështetën Berishën.
I pyetur nëse do të kenë të njëjtin fat edhe ata që u rreshtuan krah Gazment Bardhit, ai u shpreh se deputetët do maten nga detyra që bëjnë.
“PD do veprojë si çdo parti, do i kërkojë deputetëve të bëjnë detyrën e vet dhe do të masë çdo deputet nga detyra që ka nga karshi demokratëve dhe qytetarëve”, tha Basha.
Kreu i PD-së, Basha e konsideroi një ditë turpi faktin që Kuvendi i Shqipërisë nuk mbajti qëndrim për Kosovën.
Basha theksoi se salla e parlamentit është nën kontrollin e atyre që duan ta mbajnë vendin pa opozitë funksionale.
“Sot është një ditë turpi tjetër për Kuvendin, duhet të kishte mbajtur qëndrim për Kosovën. Nuk arrin dot të formulojë një qëndrim, është një nga momentet më të turpshme të Parlamentit që është kthyer në neveri për shqiptarët.
Nëse PD do të ishte përfaqësuar në mënyrë zyrtare, PS do kishte kartonët e vet por edhe turpin për shtyrjen me 1 javë.
Salla është nën kontrollin e atyre që duan ta mbajnë vendin pa opozitë funksionale. Qytetarët kërkojnë ndryshim, ky Parlament ka rënë akoma pa ardhur data e zgjedhjeve të ardhshme. Do jemi me njerëzit që Parlamenti i ardhshëm të ketë fytyrat e tyre dhe jo në maskaradë të shpifur si kjo që po shohim”, tha ai.