Projekti i Unazës së Madhe, deputeti i PD-së hedh akuza të forta: 5 milionë euro më shumë për një lot

Deputeti i Partisë Demokratike Helidon Bushati ka hedhur akuza të rënda mbi qeverinë, mbi atë që ai e quan “vjedhja te projekti i Unazës së Madhe”.

Bushati sulmoi vendimin e fundit të qeverisë për hapjen e tenderit të ri për lotin e parë të Unazës së Madhe, të cilës i janë shtuar dhe 5 miliardë lekë.

Komentet ai i bëri përmes një postimi në “Facebook”, ku ka shkruar se loti i parë është prokuruar njëherë dhe një vendim i tillë që nuk mbart një arsye madhore lë të dyshosh për një tjetër aferë korruptive të qeverisë shqiptare dhe konkretisht të ARRSH dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Kujtojmë se projekti i Unazës së Re ka shkaktuar gjithmonë përplasje të mëdha mes mazhorancës dhe opozitës prej disa vitesh për shkak të shifrave marramendëse që kushton ky projekt.

Sipas Partisë Demokratike, aty po zhvillohet një skemë e pastër korruptive.

Postimi i Helidon Bushatit:

5 Miliardë lekë më shumë për një lot, qoka e re e Unazës?!

Eshtë zbuluar sot në media, se për lotin e parë të Unazës së Madhe, janë shtuar papritur 5 miliardë lekë.

Asnjë shpjegim përse në mënyrë tê beftë, u dhanë edhe rreth 5 milionë euro për një punë tashmë të prokuruar një herë.

Cfarë ndodhi vallë, cilat rrethana ndryshuan për një shtesë në buxhet në këto përmasa?

Dyshimet e arsyeshme janë se kjo ka të bëjë me orekset në rritje të rilindjes për të përfituar sa më shumë nga pushteti.

Autoritetet, Ministria e Infrastrukturës dhe ARRSH janë nën akuzë para këtyre të dhënave.

Duhet transparencë dhe e menjëhershme.

Nëse nuk ka një ndryshim projekti për arsye madhore, cdokush me të drejtë mendon se 5 miliardë të shtuara janë paja e një qoke të re, në aferat e vjetra me Unazën e Madhe të Tiranës.

ARRSH duhet te përgjigjet nëse anullimi i pare i ketij loti eshte bere me qëllim për ta fituar oligarku që duhej ta fitonte që herën e parë por që për arsye teknike nuk arriti./albeu.com/