Këtë të mërkurë, është zhvilluar mbledhja në Komisionin e Sigurisë, ku i pranishëm ishte edhe kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Proda ka raportuar para komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, sa i takon buxhetit të vitit të ardhshëm, ku ka kërkuar rritje të fondeve për Policinë e Shtetit dhe shtoi se Policia duhet të ketë automjetet e veta, pasi ato që merren me qira kanë kosto financiare të lartë.
Gjithashtu, Proda shprehet se strukturës së Policisë i nevojiten rreth 700 automjete.
Ilir Proda: “Duhet parë me prioritet shtesa për investimin e automjeteve që duhen blerë. 50% e flotës së automjeteve është e amortizuar. Duhen blerë automjetet se kemi kosto të mëdha me makinat me qira”.
Nga ana tjetër, Ferdinand Xhaferaj, ka qenë kritik lidhur me sigurinë në vend. I ndalur tek ngjarjet kriminale, ai theksoi se situata është problematike, pasi ngjarjet kriminale kanë tronditur vendin.
Ai pyeti Prodën se si mendon t’i japë zgjidhjeve problemeve që kanë të bëjnë me sigurinë dhe rendin. Duke u ndalur te ngjarjet kriminale që kanë tronditur vendin kohët e fundit, Xhaferaj tha se krimi nuk e ka frikë policinë.
Ferdinand Xhaferaj: “Misioni kryesor i policisë është mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe garantimi i jetës dhe sigurisë së qytetarëve. Nëse ne si Komision Sigurie do të konstatonim që kemi një organizatë policie, që është krejtësisht e motivuar për të realizuar këto priorite do kishit mbështetjen maksimale. Por kur konstatojmë të kundërtën, ne si komision për këtë qëndrojmë, që t’iu mbikëqyrim. Ju folët dhe më erdhi keq që në fjalën tuaj pashë një prezantim rutinë, sikur viti 2024 është një vit i zakonshëm për policinë. Ky vit ka pasur shumë probleme dhe ju duhet të kishit kurajon për të thënë që gjeta këto probleme. 2024 është një vit i vështirë për Policinë e shtetit.
Situata e rendit publik dhe sigurisë rrugore degaroi shumë keq. Aksidentet rrugore kanë ekspozuar shifra të frikshme. Kemi 288 aksidente më shumë gjatë verës 2024, krahasur me vitin 2023. Krimi nuk e ka frikë policinë. Del dhe vret në qendër të Shkodrës, del dhe vret në qendër të Memaliajt. Si mendon policia të fillojë dhe ta lehtësojë këtë problematikë. Si do t’i zgjidhim këto problematika që krimi të fillojë ta ketë frikë policinë? Grupet kriminale probemet e lindura jashtë vijnë e i zgjidhin në Shqipëri. Si mund të përballohet kjo situtatë kur sa vjen e rëndohet”, u shpreh Xhaferaj.