Prishja e banesave tek 5 Maji, vjen reagimi i Avokatit të Popullit

Pas prishjes së disa banesave në lagjen 5 Maji në Tiranë, ka reaguar institucioni i Avokatit të Popullit.

Avokati i popullit bën me dije se kanë qenë vetë banorët që e kanë njohur me situatën që ndodhte në lagjen e tyre.

Banorët kanë vënë në dijeni institucionin për datën e lirimit të shtëpive dhe për pamundësinë për t’u strehuar diku.

Në kuadër të kësaj situate institucioni ka kërkuar transparencë nga bashkia për të mësuar me detaje në lidhje me këtë çështje por duket se nuk ka marrë një përgjigje të qartë.

Ndër të tjera mësohet se institucioni i Avokatit të Popullit do vijojë ta ndjekë nga afër këtë çështje deri në zgjidhjen përfundimtare të saj.

Njoftimi i plotë:

Institucioni i Avokatit të Popullit sic e ka bërë me dije dhe më parë ka ndjekur në vijimësi dhe me shqetësim problematikën në shëmbjen e banesave të ndodhura në Njësitë Administrative nr. 8 dhe nr. 4 zona “5 Maji”, Tiranë, nga  ndërhyrja e strukturave të IMT pranë Bashkisë Tiranë në zbatim të vendimit nr.533, datë 22.09.2021 të KM “Për shpronësimin për interes publik, në funksion të proçesit të rindërtimit për zhvillimin e zonës së re, në përputhje me planin e detyruar vendor, përmes kompesimit me shkëmbim për të gjitha pasuritë që preken nga realizimi i projektit “Për zonën e re për zhvillim një njësinë administrative nr.4 dhe 8, zona “5 Maj”, Bashkia Tiranë”.

Problematika është bërë prezent dhe nga një grup banorësh të Njësisë Administrative nr. 8 dhe nr. 4 Tiranë për prishje të banesave të tyre pranë Institucionit të Avokatit të Popullit në dt. 26.10.2021. Me marrjen e ankesës, ndihmës-komisionerët e Seksionit të Administratës në institucionin e Avokatit të Popullit, në dt. 26.10.2021 ndoqën në terren problematikat që shoqëroi aksioni i strukturave të Bashkisë Tiranë , IMT në prishje të objekteve/shtëpive  të ndodhura në Njësinë Nr. 4 dhe 8 zona “5 Maji” Bashkia Tiranë.

Banorët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyrë me arsyen se nga ana e Bashkisë Tiranë së pari ka munguar transparenca lidhur me aktet që ka prodhuar Bashkia Tiranë konkretisht Akt-Marreveshja për shkembim/dhurim të pronës e cila është e padetajuar me të dhënat përkatëse dhe pa informacion se cila eshtë pasuria që do t’u vihet në dispozicion banorëve në këmbim të pronës së marrë në kuadër të zhvillimit të zonës.

Nëpërmjet këtij ankimi banorët pretendojnë se janë njoftuar vetëm për lirimin e objekteve në datën e përcaktuar por nuk kanë asnjë informacion të mëtejshëm lidhur me strehimin e tyre. Banorët shprehen se po u merren banesat e tyre por nga ana e Bashkisë Tiranë dhe strukturave të vartësisë nuk janë bërë me dije procedurat që do të ndiqen për garantimin e strehimit pas lirimit të godinave të tyre.

Në kushet e situatës së tillë Institucioni i Avokatit të Popullit u vu në lëvizje për hetimin e gjithë procedurës së ndjekur nga organet kompetente në përcaktim të qartë të situatës së krijuar. Nëpërmjet korrespondencës me Bashkinë Tiranë në kuadër të këtij hetimi u kërkua informacion i detajuar mbi arsyet se përse nga ana e kësaj Bashkie është arritur në konkluzionin se shpronësimi i banorëve të këtyre ndërtesave/objekteve të ndodhura në njësitë administrative nr.4 dhe nr.8 Bashkia Tiranë, është mjeti i vetëm për realizimin e qëllimit publik përkatës në këtë rast për zhvillim të zonës.

Interesimit të Institucionit të Avokatit të Popullit Bashkia Tirane dhe strukturat përkatës nuk i është përgjigjur në kohë dhe më tej informacioni i paraqitur është i përgjithshëm i pa argumentuar dhe dokumentuar me aktet përkatëse.

Teksa Avokati i Popullit e vlerëson si pozitiv qëndrimin e shprehur në VKM e sipërcituar për mundësinë e pajisjes me apartament/banesë të të gjithë banorëve të prekur nga ky projekt, ai tërheq vëmendjen së pari për transparencën e cunguar që ka shoqëruar përpilimin dhe ekzekutimin e këtij vendimi, gjë që ka shkaktuar edhe një gjendje të dukshme pasigurie, paqartësie dhe shqetësimi për qytetarët.

Gjithashtu Avokati i Popullit tërheq vëmendjen mbi disa klauzola të këtij vendimi, të cilat për shkak të procedurave të ndjekura me justifikimin e emergjencës së krijuar nga tërmeti i vitit 2019, sot më 2022 nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme për qytetarët të cilët preken nga prishja e objekteve të tyre e u premtohet në mënyrë evazive një formë kompensimi e pa-individualizuar dhe e pa-afatizuar.

Në vijim të ndjekjes së hetimit përfaqësuesit e  Institucioni  Avokatit të Popullit kanë qënë prezent sërish edhe ditën e sotme në terren përgjatë ndërhyrjeve të IMT në  prishjen e banesave në këtë zonë dhe do të vijojnë me ndjekjen e këtij problem deri në qartësimin e të gjitha çështjeve të tij në respekt të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë./albeu.com/


Shtuar 19.01.2022 16:33