Këtë të shtunë, procesi i primareve ka nisur edhe në Fier, me fluks të lartë të anëtarësisë që kërkojnë të votojnë për kandidatin preferencial, për në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në një deklaratë për mediat, ku ka ndjekur nga afër procesin e votimit, drejtuesi politik i PD për Qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, konfirmoi fluksin e madh të qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre.
Sipas Bardhit, PD është një forcë politike që respekton vullnetin e anëtarëve dhe ndjek një proces demokratik.
“Është një proces statutor në PD, janë anëtarët e partisë të ftuar për të përzgjedhur kandidatët për deputetë më 11 maj.
Kjo tregon se PD respekton vullnetin e anëtarëve dhe ndjek një proces demokratik të përzgjedhjes së kandiatëve përmes parimit ‘një anëtar, një votë’.
Ka pasur një fluks të jashtëzakonshëm për të shprehur vullnetin e tyre.
Anëtarët të paraqiten, të marrin pjesë në votime e të shpallin vullnetin e tyre për kandidatët që kanë aplikuar në këtë proces të brendshëm demokratik të kësaj partie”, tha Bardhi.