Presidenti Vuçiç merr vaksinën kineze kundër COVID-19

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është vaksinuar sot ndaj koronavirusit. Presidenti është vaksinuar me vaksinën kineze “Sinofarm” në Qendrën Shëndetësore në Majdanpek, raporton Tanjug.

Kreu i shtetit serb tha pas vaksinimit se e mori vaksinën dhe ndihet shkëlqyeshëm. “E mora vaksinën dhe ndihem shkëlqyeshëm.  Faleminderit punonjësve tanë të shkëlqyeshëm shëndetësorë. Faleminderit vëllezërve tanë kinezë”, shtoi ai.

Vuçiç kishte premtuar për muaj të tërë se do të vaksinohej por gjeti arsye të ndryshme për të shtyrë atë. Vonesa bëri që të spekulohet në mediat sociale se Vuçiç kishte frikë nga vaksinat,  se nuk u besonte vaksinave ose se ishte vaksinuar fshehurazi muaj më parë. Kritikët e presidentit thanë se ngurrimi i tij i dukshëm ndihmoi në rritjen e skepticizmit në lidhje me vaksinën.

Serbia ishte vendi i parë evropian që miratoi dhe filloi të përdorë si vaksinat Sinopharm ashtu edhe Sputnik V. Rregullatorët e barnave të BE nuk kanë autorizuar ende përdorimin e këtyre vaksinave.

Po ashtu, Serbia ka një nga nivelet më të larta të vaksinimit kundër COVID-19 në Evropë. Përveç vaksinës kineze Sinopharm populli serb po përdor gjithashtu vaksinën ruse Sputnik V dhe ato të zhvilluara nga Pfizer-BioNTech dhe Oxford-AstraZeneca.


Shtuar 6.04.2021 15:50