Sot do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, në të cilën do të diskutohet mes mazhorancës dhe opozitës për fillimin e procedurave dhe përcaktimin e datës së votimit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Mbledhja do të zhvillohet në orën 12:30. Enkelejd Alibeaj konfirmoi pasditen e së hënës se opozita do të jetë pjesë e tryezës së Konferencës së Kryetarëve, dhe bashkë me të, të pranishëm do të jenë edhe Agron Gjekmarkaj, Fatmir Mediu, Mesila Doda dhe Grida Duma.
Opozita dy ditë më parë paraqiti edhe një draft në të cilin parashikohet se si duhet bërë zgjedhja e kreut të ri të shtetit dhe si duhet vepruar në çdo raund.
Por drafti nuk u mirëprit nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla pasi një nga pikat parashikon se opozita duhet të propozojë 4 emra kandidatësh për Presidentin e ri dhe mazhornaca vetëm 2.
PS edhe pse i ka votat për ta zgjedhur e vetme Presidentin, është shprehur më herët se nuk po kërkojnë një President të Partisë Socialiste, por kreu i shtetit duhet të jetë i gjithë shqiptarëve.