Presidenti Begaj përshëndet hapjen e grupkapitullit 2 në negociatat Shqipëri-BE: “Një tjetër hap i rëndësishëm drejt integrimit”

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas hapjes së grupkapitullit 2 të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, duke e cilësuar si një moment të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit evropian.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit ka përshëndetur hapjen e këtij kapitulli që lidhet me “Tregun e Brendshëm”, në kuadër të Konferencës së Katërt Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së.

“Një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian: Hapja e grupkapitullit 2 të negociatave, ‘Tregu i Brendshëm’, në kuadër të Konferencës së katërt Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Të vazhdojmë përpara me shumë përkushtim, bashkëpunim, përgjegjësi dhe më shumë punë për të ecur të palëkundur drejt anëtarësimit në BE”, – u shpreh Presidenti Begaj.

Hapja e grupkapitullit 2 vjen si pjesë e përparimit teknik të Shqipërisë në përmbushjen e kritereve për integrimin evropian, me theks të veçantë në përputhjen me rregullat e tregut të përbashkët të BE-së. Ky zhvillim është një sinjal pozitiv për vijimin e procesit të negociatave dhe përpjekjeve të institucioneve shqiptare për të afruar më tej vendin me standardet evropiane.


Shtuar 14.04.2025 20:18