Presidenti Begaj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së: Barazia gjinore, prioritet i Shqipërisë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori sot pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, organizuar me rastin e 30-vjetorit të Konferencës së Katërt Botërore për Gratë.

Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit u bëri thirrje vendeve anëtare që të shfrytëzojnë kohën e mbetur deri në vitin 2030 për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Kreu i shtetit nënvizoi se, pavarësisht angazhimeve të ndërmarra që nga Konferenca e Pekinit e vitit 1995, progresi në barazinë gjinore mbetet i ngadalshëm, madje në disa fusha është shënuar regres.

“Ky takim duhet të shërbejë si një pikë kthese, duke kaluar nga retorika në veprim. Ne duhet të mobilizojmë burime financiare, të forcojmë kornizat e llogaridhënies dhe të investojmë në veprime të matshme e transformuese”, tha ai.

Duke ndarë përvojën shqiptare me liderët botërorë, Presidenti përmendi reformat ligjore, institucionale dhe shoqërore të ndërmarra në vend, rritjen e buxhetit dhe fondeve për barazinë gjinore, si edhe fuqizimin e rolit të vajzave dhe grave në vendimmarrje.

Sipas tij, këto hapa kanë bërë që barazia gjinore të kthehet në një element thelbësor të shoqërisë shqiptare.

Presidenti Begaj theksoi gjithashtu se Shqipëria është zotuar për dy veprime prioritare në kuadër të Agjendës së Veprimit Pekin+30: eliminimin e dhunës ndaj grave dhe zgjerimin e buxhetimit të përgjegjshëm ndaj gjinisë.

“Barazia gjinore është faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm, kohezionin shoqëror dhe prosperitetin e përbashkët”, u shpreh Presidenti Begaj.

Takimi i këtij viti në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme kishte në fokus rikonfirmimin e angazhimeve, sigurimin e burimeve dhe përshpejtimin e zbatimit të Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim, duke synuar reflektimin mbi arritjet dhe sfidat që vazhdojnë të shoqërojnë barazinë gjinore në nivel global.


Shtuar 22.09.2025 20:12

Tags: ,