Premtimi i Alban Xhaferit për 15 mijë euro, prapaskena e triumfit të Vllaznisë ndaj Dinamos

Një shpërblim prej 15 mijë eurosh ishte premtuar nga presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, për futbollistët në rast se fitonin ndaj Dinamos. Pas përmbushjes së këtij objektivi, lojtarët tashmë presin të marrin shumën e premtuar për suksesin kundër “bluve” të kryeqytetit.

Të lidhura

None found

Përballja e zhvilluar në “Loro Boriçi”, e vlefshme për javën e 6-të të Superiores, përfundoi me fitoren 1-0 të Vllaznisë. Këtë fundjavë, shkodranët do të udhëtojnë në Rrogozhinë, ku i pret ndeshja me Egnatian.

Triumfi në Shkodër u dha kuqebluve një frymëmarrje të nevojshme, teksa siguruan 3 pikët e para të sezonit me trajnerin e ri, Csaba Laszlo, në krye. Krahas ndikimit të teknikut, premtimi financiar i presidentit duket se ka qenë një tjetër shtysë në prapaskenë për këtë fitore të rëndësishme.

Në këtë fazë delikate, rikthimi i besimit i ndihmon shkodranët të përqendrohen te ndeshjet e ardhshme dhe të kërkojnë vazhdimësinë e rezultateve. Synimi është të zbehin pasiguritë që kanë shoqëruar nisjen e sezonit dhe të shkëputen nga pozicionet e poshtme të renditjes.

Megjithatë, pagat mbeten një shqetësim brenda klubit shkodran. Për zgjidhjen e kësaj çështjeje po punohet me përkushtim maksimal, në mënyrë që ekipi të rifitojë harmoninë e plotë dhe të lërë pas vështirësitë, me ambicien për të përballuar një sezon të gjatë e me shumë sfida.


Shtuar më 13.10.2026 10:15