Popullsia e botës po tkurret, si shmanget kolapsi ekonomik

The Economist

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Gjatë 250 viteve të fundit që nga fillimi i Revolucionit Industrial, është rritur në mënyrë drastike si popullsia e botës, ashtu edhe pasuria e saj. Megjithatë, para fundit të këtij shekulli, numri i njerëzve në planet mund të zvogëlohet për herë të parë që nga koha e pandemisë së Vdekjes së Zezë.

Shkaku kryesor nuk është shtimi i numrit të vdekjeve, por rënia e lindjeve. Në pjesën më të madhe të botës, shkalla e fertilitetit, numri mesatar i lindjeve për çdo grua, është në rënie. Edhe pse kjo tendencë mund të jetë e njohur, shtrirja dhe pasojat e tij nuk dihen dhe aq gjerësisht.

Edhe pse Inteligjenca Artificiale (AI) ka sjellë rritje të optimizmit në disa fusha, demografia është përcaktuese për të ardhmen e ekonomisë botërore. Në vitin 2000, shkalla e fertilitetit në botë ishte 2.7 lindje për grua, pra pak mbi “normën e zëvendësimit” prej 2.1 lindjesh, në të cilën një popullsi është e qëndrueshme.

Sot është 2.3 dhe po vazhdon të bjerë. 15 vendet më të mëdha sipas PBB-së, kanë që të gjitha një normë lindshmërie nën normën e zëvendësimit të popullatës që ndërron jetë. Këtu përfshihet Amerika dhe pjesa më e madhe të botës së pasur, por edhe Kina dhe India, asnjëra prej të cilave nuk është e pasur, por që së bashku përbëjnë më shumë se 1/3 e popullsisë globale.

Pasoja është se në pjesën më të madhe të botës, zhurma e këmbëve të vogla të fëmijëve po mbytet nga zhurma e bastunëve të të moshuarve. Shembujt kryesorë të vendeve në plakje nuk janë më vetëm Japonia dhe Italia, por përfshijnë gjithashtu Brazilin, Meksikën dhe Tajlandën.

Deri në vitin 2030, më shumë se gjysma e banorëve të Azisë Lindore dhe Juglindore do të jenë mbi 40 vjeç. Ndërsa të moshuarit po vdesin dhe nuk zëvendësohen plotësisht, popullsia ka të ngjarë të tkurret. Jashtë Afrikës, popullsia e botës parashikohet të arrijë kulmin në vitet 2050 dhe të bjerë në fund të këtij shekulli, duke qenë më e vogël se sa sot.

Por shkalla e lindshmërisë po bie me shpejtësi edhe në Afrikë. Pavarësisht se çfarë thonë disa ambientalistë, një popullsi në tkurrje krijon probleme të mëdha. Sepse po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të mbështetur pensionistët. Ata paguhen nga kontributet e atyre që janë në moshë pune.

Por ndërsa bota e pasur aktualisht ka rreth 3 njerëz midis 20-64 vjeç, për të gjithë njerëzit mbi 65 vjeç, deri në vitin 2050 do të ketë më pak se 2 kontribues. Dhe pasojat janë taksa më të larta, dalje më vonë në pension, kthime reale më të ulëta për kursimtarët, dhe ndoshta kriza buxhetore të qeverive.

Raporti i ulët i punëtorëve ndaj pensionistëve ,është vetëm një problem që rrjedh nga rënia e lindshmërisë. Të rinjtë kanë më shumë nga ajo që psikologët e quajnë “inteligjencë fluide”, pra aftësinë për të menduar në mënyrë krijuese, në mënyrë që të zgjidhin problemet në mënyra krejtësisht të reja.

Ky dinamizëm rinor plotëson njohuritë e akumuluara të punëtorëve më të vjetër. Por sjell edhe një ndryshim. Patentat e paraqitura nga shpikësit më të rinj, kanë shumë më tepër gjasa të mbulojnë inovacionet e reja. Vendet me popullatë të plakur, kanë sot më pak iniciativë dhe nuk duan të ndërmarrin rreziqe.

Për shkak se të moshuarit përfitojnë më pak se të rinjtë kur rriten ekonomitë, ata janë treguar më pak të prirur për politika pro-rritjes, veçanërisht në ndërtimin e shtëpive. Shkatërrimi kreativ ka të ngjarë të jetë më i rrallë në shoqëritë e plakura, duke e shtypur rritjen e produktivitetit dhe duke humbur mundësi të madhe.

Duke pasur parasysh të gjitha gjërat, është joshëse që normat e ulëta të lindshmërisë të konsiderohen si një krizë që duhet zgjidhur. Megjithatë, shumë nga shkaqet e saj themelore janë në vetvete të mirëseardhura. Kështu, ndërsa njerëzit janë bërë më të pasur, ata kanë tendencën të kenë më pak fëmijë.

Sot ata përballen me zgjedhje të ndryshme midis punës dhe familjes, dhe këto dilema janë kryesisht të mira. Konservatorët populistë që pretendojnë se lindshmëria e ulët është një shenjë e dështimit të shoqërisë, dhe bëjnë thirrje për kthim në vlerat tradicionale të familjes, e kanë gabim.

Pasja e më shumë zgjedhjeve në dispozicion, është diçka e mirë, dhe askush nuk ua ka borxh të tjerëve që të rrisë fëmijë. Edhe impulsi i liberalëve për të inkurajuar më shumë emigracion është më fisnik. Por edhe ai është një diagnozë e gabuar për këtë problem.

Sepse migrimi drejt botës së pasur po shënon sot rekorde. Ai po ndihmon vende të caktuara që të adresojnë problemin e mungesën e punëtorëve. Por natyra globale e rënies së fertilitetit nënkupton se nëse diçka nuk ndryshon, nga mesi i këtij shekulli, bota ka të ngjarë të përballet me mungesën e punëtorëve të rinj të arsimuar.

Njerëzit u thonë shpesh anketuesve se duan më shumë fëmijë sesa kanë. Ky hendek midis aspiratës dhe realitetit, mund të vijë pjesërisht për shkak se prindërit e mundshëm – që subvencionojnë pensionistët e ardhshëm pa fëmijë – nuk mund ta përballojnë të kenë më shumë fëmijë.

Ose për shkak të dështimeve të politikave të tjera, të tilla si mungesa e strehimit ose trajtimi i papërshtatshëm i fertilitetit. Megjithatë, edhe nëse rregullohen këto probleme, zhvillimi ekonomik ka ende gjasa të çojë në një rënie të lindshmërisë nën normën e zëvendësimit. Politikat pro-familjes kanë qenë zhgënjyese. Singapori ofron grante bujare, zbritje taksash dhe subvencione për kujdesin e fëmijëve. Por aktualisht ka një normë fertiliteti prej 1 fëmijë për çdo grua. Çlirimi i potencialit të të varfërve të botës, do të lehtësonte mungesën e punëtorëve të rinj të arsimuar pa më shumë lindje.

Dy të tretat e fëmijëve kinezë jetojnë në fshat dhe shkojnë në shkolla me kushte të tmerrshme. Dy të tretat e 25-34-vjeçarëve në Indi nuk kanë përfunduar arsimin e mesëm. Grupi i të rinjve në Afrikë do të vazhdojë të rritet për dekada. Rritja e aftësive të tyre është e dëshirueshme në vetvete, dhe mund të sjellë më shumë emigrantë të rinj si novatorë në ekonomitë që gjenden në stanjacion.

Megjithatë, zhvillimi inkurajues është i vështirë, dhe sa më shpejt të pasurohen vendet, aq më shpejt do të plaken ato. Prandaj, bota duhet të mjaftohet me më pak të rinj, dhe ndoshta me një popullsi në tkurrje. Por këtë arsye, përparimet e kohëve të fundit në AI nuk mund të kishin ardhur në një kohë më të mirë. Një ekonomi produktive dhe e mbështet nga Inteligjenca Artificiale, mund ta ketë të lehtë të mbështesë një numër më të madh pensionistësh. /albeu.com

 

 


Shtuar 5.06.2023 13:33